Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Më jep 7,000 euro ose të hodha prangat, të kërkon Italia", arrestohet oficeri i njësisë speciale të Policisë, shantazhoi qytetarin

Shkruar nga Newsbomb
"Më jep 7,000 euro ose të hodha prangat, të kërkon

Një oficer i njësisë speciale të Policisë, FAST Albania, është arrestuar nga kolegët e tij në Elbasan pasi, ka shantazhuar dhe i ka marrë 7,000 euro një qytetari. Në pranga ka rënë oficeri i Policisë Sokol Fana, 26 vjeç.

Qytetarit të identifikuar me inicialet K.H, i bëhej shantazh se "kishte probleme me drejtësinë italiane" dhe nëse nuk i paguante oficerit Sokol Fana shumën e eurove, ai do të arrestohej dhe do të dërgohej në Itali për të vuajtur dënimin, mëson newsbomb.al.

Një dënim që në fakt nuk ekzistonte pasi qytetari në fjalë ishte "i pastër".

Pasi i ka dhënë 7 mijë euro oficerit të njësisë speciale FAST Albania, ose Njësia K, qytetari me inicialet K.H ka bërë verifikimet e nevojshme dhe ka vërtetuar se ai në fakt nuk ishte në kërkim nga asnjë shtet europian dhe as nga Italia.

Menjëherë, ai i është drejtuar Policisë së Elbasanit dhe ka bërë denoncim. Kanë qenë vetë kolegët e Sokol Fanës të cilët kanë organizuar një operacion dhe i kanë vënë prangat atij. Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme hetimore.

Njoftimi i SHÇBA për arrestimin e oficerit Sokol Fana

Elbasan - Strukturat hetimore të DVP Elbasan, ato operacionale të DPPSH në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Elbasan-Korçë kanë arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, S.F., me detyrë N/Specialist në Njësinë FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Arrestimi i 26-vjeçarit u krye pasi në shpërdorim të detyrës si punonjës i Policisë së Shtetit, ka mashtruar një shtetas nga Elbasani. Ai ka paraqitur gjithashtu të dhëna të rreme para Oficerit të Policisë Gjyqësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe dy aparate celularë. Është bërë shoqërimi i tij në DVP Elbasan, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Mashtrim" i mbetur në tentativë, "Shpërdorim i detyrës", "Kallëzim i rremë".

Policia e Shtetit në bashkëpunim me SHÇBA dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese vijon luftën kundër paligjshmërisë dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu