
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reguar për takimin që do të zhvillohet mes tij dhe liderit të Serbisë më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Ai e ka konfimruar takimin më 2 shtator, duke theksuar se zhvillohet për diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik.
“SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, ka deklaruar Hoti.
Ka qenë i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili lajmëroi se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator.
“Ne jemi të lumtur të lajmërojmë se liderat e Kosovës dhe Serbisë do të trakohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator”, shkruan Grenell
Fillimisht takimi ishte planifikuar më 27 qershor, por dështoi për shkak se Prokuroria e Hagës, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, gjatë luftës.