
Policia Rrugore ka shtuar kontrollet për parandalimin e aksidenteve dhe ngjarjeve të tjera në akset urbane dhe ato kombëtare. Me nisjen e sezonit turistik, Policia Rrugore dhe shërbimet e tjera kanë kaluar në gatishmëri e me trupa shtesë.
Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara, një patrullë e Policisë Rrugore e cila ka qenë e planizuar në Rrugën e Kombit dhe ka kapur dhjetëra shoferë me dyfishin e shpejtësisë lejuar.
"Udhëtoni me jetën në mendje, mos fluturoni të arrini detin, duke dëmtuar jetën dhe shëndetin tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës! Respektoni sinjalistikën rrugore, udhëtoni me shpejtësi brenda limiteve të lejuara që mbërritja në plazh të jetë e sigurt!
Mos drejtoni mjetin, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur! Alkooli mpin trurin dhe vret jetën. Vendosni rripin e sigurimit dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit! Përqendrohu në timon! Familja ka nevojë për ty", janë disa nga mesazhet e Policisë Rrugore.
Në të gjitha rrugët e vendit 24/7, vijojnë kontrollet me makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamerat dhe alkool-testuesit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.