Shkolla shqipe në komunën e Ostermundingen, pjesë e Kantonit të Bernës, ka mbyllur me sukses vitin shkollor 2022-2023. Mësuesja Ida Jashari dhe prindërit e fëmijëve shqiptarë, kanë organizuar atje Festën e Abetares me një program të pasur kulturor.
Ditën e shtunë, më datë 10 Qershor, me bashkëpunimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare "Bashkimi" është organizuar një program me këngë, valle e poezi shqiptare.
Në mesin e shumë të pranishmeve ishte dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Valon Gashi, nga komuniteti shqiptar i Luginës së Preshevës.
Ai përshëndeti aktivitetin dhe vlerësoi punën e mësueses Ida Jasharit, e cila edhe sipas komunitetit shqiptar në Bernë ka dëshmuar se është një arsimtare fisnike, e talentuar dhe me virtyte të çmuara për mësimin shqip në këtë rajon e më gjerë.
Ambasada vlerëson rolin e patjetërsueshëm të mësuesve të gjuhës shqipe në gjithë Zvicrën, si dhe domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të komunitetit shqiptarë për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve në klasat e mësimit të gjuhës shqipe si një element i domosdoshëm për ruajtjen e gjuhës, traditave, kulturës e historisë shqiptare.