Hapësire reklamuese

Bota

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, Trump këmbëngul në kërkesën për financimin e sigurisë në kufi

Shkruar nga Newsbomb

Presidenti i SHBA, Donald Trump, është shprehur se ka caktuar një grup pune për të diskutuar gjatë fundjavës mbi sigurinë e kufirit, një çështje që ka çuar në mbylljen e pjesshme të qeverisë.

Presidenti i bëri komentet pas një takimi të premten në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit demokratë të Kongresit, të cilët refuzojnë të financojnë planin e Presidentit për ndërtimin e një muri kufitar me Meksikën, ndërsa ai e quajti takimin 'shumë produktiv'.

Nga ana e tyre, udhëheqësit demokratë dhanë një variant të ndryshëm të takimit, duke thënë se biseda me Presidentin ishte e tensionuar.

'Sapo përfunduam një bisedë të gjatë dhe herë-herë të tensionuar me presidentin,' tha ligjvënësja Nancy Pelosi, kryetare e sapozgjedhur e Dhomës së Përfaqësuesve. 'Ramë dakord të vazhdojmë bisedat tona. Por ne demokratët e kuptojmë se nuk mund ta zgjidhim këtë çështja pa hapur së pari qeverinë, dhe ne ia bëmë këtë shumë të qartë presidentit.'

Presidenti Trump shprehet se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika.

Ai tha të premten se qeveria nuk do të rihapet pa u zgjidhur problemi i sigurisë së kufirit, duke shtuar se mbyllja e qeverisë mund të zgjasë me muaj ose me vite nëse kjo nuk zgjidhet.

Gjithashtu Trump shtoi se ai mund të mos ketë nevojë për miratimin e Kongresit për të ndërtuar murin, por mund ta bëjë këtë duke shpallur një 'emergjencë kombëtare'.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, ai u shpreh se një barrierë kufitare me Meksikën mund të jetë edhe prej çeliku, nuk është e thënë të jetë një mur prej betoni.

Ndërkohë, 800 mijë punonjës federalë po qëndrojnë në shtëpi ose punojnë pa pagesë prej dy javësh për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë. /VOA

 

Sondazh

Poll