Grupi Task- Forcë i Tatim-taksave të Tiranës ka mbyllur 40% të biznesve që vepronin në Elbasan. Pas aksionit për kontrollin e bareve, berberhaneve, restoranteve dhe fastfudeve, ekspertët kanë gjetur se këto aktivitete nuk kanë patur rregullsi në pagesën e taksave, tatimeve dhe pagesën e sigurimeve të punonjësve. Aksioni është kryer në zonën e Universitetit "Aleksandër Xhuvani".
Nga burimet e grupit të kontrollit, mësohet se vetëm 60% e biznesve në qytetin e Elbasanit u janë nënshtruar ligjeve të shtetit për të paguar të gjitha taksat por njëkohësisht për të paguar siguracionet shoqërore dhe shëndetësore të stafeve të tyre.
Masa drastike e mbylljes së aktivitetit është marrë pas paralajmërimeve të bëra nga autoritetet e tatim-taksave për shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit, por kompanitë e shërbimit nuk u janë bindur, duke e lënë fatin e ecurisë së biznesit në dorë të grupit Task-Forcë ardhur nga kryeqyteti.
Mësohet se paralajmërimet për shlyerjen e detyrimeve janë bërë ditë më parë nga Drejtoria e Tatim-Taksave të Elbasanit.