Mbreti Filip i Belgjikës shprehu pakënaqësi se Britania e Madhe me Brexit-in dhe SHBA-ja, pas zgjedhjes së Donald Trump, duket sikur dëshirojnë të ndryshojnë rrjedhën e historisë duke vendosur të fokusohen tek vetvetja.
«Viti 2016 do të qëndrojë në memorie nga vendimi i marrë nga dy miqtë e mëdhenj për t’u fokusuar tek vetvetja», deklaroi gjatë një fjalimi përpara organeve përbëse të sovranitetit belg, ku roli është kryesisht protokollor dhe ku marrja e vendimeve publike është e miratuar nga qeveria.
«Ky qëndrim i ri duket sikur kërkon të ndryshojë kursin e historisë dhe në kontrast me traditën e tyre të hapjes dhe të bujarisë, mbështetjes për një ëndërr dhe një angazhimi të përbashkët », shtoi ai përpara autoriteteve kryesore të mbretërisë.
« Këto dy shtete janë liderë botërorë, mbrojtës të demokracisë dhe lirisë », vuri në dukje ai, pa cituar emra konkretë, duke mos lënë asnjë dyshim për identitetin e tyre.
«Ata ishin themeluesit e rendit botëror që ne njohim në ditët e sotme. Ata kanë dhënë ndihmesë për ndërtimin dhe rindërtimin e Evropës, vecanërisht nëpërmjet angazhimit të tyre të guximshme gjatë konflikteve të armatosura», u shpreh kreu i shtetit.
Belgjika mori mbështetje ushtarake nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe gjatë dy konflikteve botërore dhe ka përfituar një ndihmë të madhe ekonomike nga ana e SHBA-së, kryesisht në sajë të Planit Marshall.