“Mbrëmja Yjet e Sportit” po zhvillohet sonte, ndërsa të pranishëm janë dhe shumë personalite nga bota e politikës. Kryeministri i vendit Edi Rama ka fituar vëmendjen duke i dhënë medalje Sylvinhos.
Në fjalën e tij Rama ka treguar se Sylvinho nga brazilian do kthehet në shqiptar. Sigurisht këtu ka nënkuptuar marrjen e pasaportës shqiptare.
“Falënderoj presidentin e komitetit olimpik europian i cili na nderon sot me praninë e tij se bashku me sekretarin e përgjithshëm. Rastësia e do që njëri të jetë grek dhe tjetri italian. Kështu grek italian shqiptarë jemi në një familje kemi dhe një brazilian për të mos prishur syrin e keq. Nëse grekun dhe italianin do t'i leme siç janë, brazilianin do ta bëjmë shqiptar se e kemi ndarë mendjen bashkë me presidentin e FSHF.
Edhe ai e ka pranuar me kënaqësi të marrë nënshtetësi shqiptare. Ne i kemi dhënë mbështetje edhe FSHF-së për të pasur lehtësi për Europianin. Unë besoj se më e mira është e gjitha përpara dhe besoj se jemi në një proces. Në emër të të gjithëve ju, falenderoj Presidentin e Komitetit Olimpik Europian, i cili na nderon sot me praninë e tij", u shpreh ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se Sylvinho që mori medalje, është trajneri i Kombëtares së Shqipërisë që do përfaqësojë vendin në Euro 2024. Braziliani nënshkroi në fillimin e këtij viti, për të ecur më pas drejt suksesit.