Hapësire reklamuese

Aktualitet

Mblidhet Bordi i Monitorimit dhe Transparencës për produktet e shportës, ministrja Ibrahimaj: U dakordësua që të ulet marzhi i fitimit

Shkruar nga Newsbomb
Mblidhet Bordi i Monitorimit dhe Transparencës për produktet e

Ditën e sotme është mbledhur Bordi i Monitorimit dhe Transparencës për çmimet e produkteve të shportës, i cili do të shërbejë për të përcaktuar marzhin e fitimit të kompanive për produktet bazë për çdo familje.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh se të gjitha kompanitë që ishin pjesëmarrëse në mbledhje kanë rënë dakord që të ulin marzhin e fitimit, madje ka nga ato kompani që marzhin e fitimit kanë vendosur ta kenë 0 në këto ditë krize.

“Sot është mbledhur bordi i monitorimit dhe transparencës e produkteve të shportës. Nesër do vazhdojmë takimet për përcaktimin e çmimeve të produkteve të shportës në pikat e tregtimit me pakicë. Kjo është një situatë e pazakontë në të cilën ne nuk do të donim të ndërhynim dhe është një situatë që ka nevojë për ndërhyrje. Lufta krijon pasiguri, kjo ka çuar që të ketë patur rritje të larta për disa produkte të shportës. Qëllimi kryesor i këtij bordi është përcaktimi i instrumentit që do të monitorojë këto çmime dhe nuk do të lejojë që çmimet të rriten në mënyrë jokonsistente me çmimet e importit.

Disa prej tregtarëve janë importues, disa përpunues dhe disa paketues e shitës. Nga ana tjetër, ka një numër markash për të cilat është e vështirë të përcaktosh të njëjtin çmim. Bordi do të ketë detyrë monitorimin e marzheve të fitimit. Të gjitha kompanitë që ishin prezent, kanë dhënë dakordësi për të pasur marzhe fitimi minimale për produktet bazë të shportës. Disa prej tyre kanë deklaruar se nuk do kenë fare marzhe fitimi.

Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, pasi vjen nga inflacioni i importuar. Kemi parë sesa janë rritur çmimet në tregjet ndërkombëtare. Ne nuk mund të vendosim çmime arbitrare pasi operojmë në një ekonomi tregu. Në ditët në vijim do ju mbajmë të informuar edhe me instrumentin e monitorimit. Do të jetë një mekanizëm që do të përcaktojë se si do të mnonitorohen tregtarët. Ne kemi vendosur një garanci që do të përdoret nga tregtarët kryesorë me qëllim që të garantojnë produktet e tyre që të mos mungojnë në një periudhë afat-mesme”, tha ministrja.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll