
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shëngjin, ku ka mbledhur qeverinë e tij në një takim informal dyditor.
Në fokus është viti 2024, si edhe një analizë dhe vlerësim i punës për vitin që lamë pas.
Kreu i qeverisë u ka kërkuar të pranishmëve në mbledhje bilancin në disa aspekte politike, si:
-Seancat plenare të zhvilluara në vitin që lamë pas
-Sa interpelanca dhe mocione me debat janë zhvilluar
-Sa projektligje janë depozituar ne Kuvend
-Prezenca e deputeteve në seanca plenare, në mbledhje grupi e komisione
-Takimet e ministrave me deputetet
-Sa diskutime ka pasur nëpër komisione për buxhetin dhe paketën fiskale
-Kërkesat për masa disiplinore ndaj deputeteve, sa janë kërkuar e sa janë miratuar
-Performanca e deputeteve në debate publike, diskutime në seanca e komisione dhe prezenca ne zonat elektorale
-Vijimësia e jetës parlamentare pas incidenteve dhe bllokimit te opozitës
-Ligjet në Kuvend që duan shumicë të cilësuar, si amnistia e të dënuarve për shembull
Të pranishëm në këtë mbledhje informale janë ministra, zëvëndësat, përfaqësues të Kuvendit, drejtues politikë dhe disa drejtues të rëndësishëm të administratës.
Dita e parë e takimit nisi me fjalën e kryeministrit Edi Rama për arritjet e vitit të shkuar dhe për sfidat e 2024.
Në fokus të fjalës së tij ishte përmirësimi i punës së komisioneve parlamentare dhe forcimi bazës së partisë socialiste.
Më tej, Bledi Çuçi është ndalur me detaje lidhur me prezencën e deputetëve në seanca plenare, në mbledhje grupi dhe komisione parlamentare.
Po ashtu u fol, edhe për takimet e ministrave me deputetët dhe sa diskutime ka pasur nëpër komisione për Buxhetin dhe Paketën Fiskale.
Pjesa e mbetur e mbledhjes e pati fokusin te aspektet teknike, ku ministrat treguan synimet për vitin 2014.
Ajo çka vihet re është prezenca e ministrit të ri të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhen, i cili më herët mbante postin e drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Ndyshimet në kabinetin qeveritar nxorrën jashtë “loje” Elva Margaritin, pasi Ministria e Kulturës u shkri. Kjo e fundit ndodhet në takiminin informal në Shëngjin, pavarësisht se emri i saj nuk figuron as te lista e të pranishmëve.
Kryeministri Rama arsyetoi vendimin e tij duke thënë se “kultura nuk mund të mbetet më në një ishull të vogël të ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave mund të përfitojë shumë më tepër”.
Ndërkohë, Elva Margariti, pas këtij vendimi të kryeministrit Rama listoi dhe foli me shifra lidhur me të gjitha arratijet e Ministrisë së Kulturës.
“43.22% më shumë se viti 2022 dhe 133.92% më shumë se viti 2021 rezultojnë të ardhurat e mbledhura në vitin 2023 nga biletat në institucione, parqe arkeologjike, kala e monumente kulture. Më shumë shërbime dhe mirëmbajtje në shërbim të turizmit kulturor”, shkruan Margariti në Facebook.
Nga agjenda bëhet me dije se sot do të ketë diskutime mbi objektivat dhe sfidat e vitit 2024, ndërkohë nuk dihet ende nëse kryeministri Rama ka rezervuar të tjera “supriza” dhe a do të ketë të tjera ndryshime në kabinetin qeveritar.