Hapësire reklamuese

Politikë

Mbledhja e parë e Grupimit “Për PD”, Bujar Nishani: Përpjekja për një parti më të madhe, më të bashkuar dhe realisht europiane, ka nisur!

Shkruar nga Newsbomb
Mbledhja e parë e Grupimit “Për PD”, Bujar Nishani:

Bujar Nishani, pjesë e Grupimit “Për PD”, që mbajti sot deklaratën e parë dhe kërkoi reformimin e Partisë Demokratike, thotë se tashmë përpjekjet për një parti realisht europiane kanë nisur.

“Përpjekja për një PD më të mirë, më të madhe, më të bashkuar, më moderne, realisht evropiane, ka nisur. Vetëm një PD e ringritur dhe përfaqësuese e 1 (një) milion shqiptarëve do ta rrëzojë Edi Ramën dhe të gjitha bandat e tij”, shkruan Nishani, i cili ishte dhe vetë sot i pranishëm në deklaratën për mediat.

Pjesë e Grupimit “Për PD” ishin sot: Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha.

DEKLARATA E Gupimit “Për PD”:

Shqipëria u përball me zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, pas një periudhe 8-vjeçare të një qeverisjeje të korruptuar, të kriminalizuar dhe klienteliste, që e ka çuar vendin në varfëri të tejskajshme, në humbjen e shpresës dhe, për pasojë, në braktisjen masive të vendit nga qytetarët.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kontrolli, kushtëzimi dhe tjetërsimi i votës, shit-blerja e saj me çdo mjet dhe mundësi, përdorimi i administratës shtetërore dhe të gjitha burimeve të tjera publike dhe private, përdorimi i paligjshëm i të dhënave vetjake të qytetarëve ishin vetëm disa nga elementët thelbësorë të strategjisë zgjedhore, tashmë të njohur. Falë kësaj strategjie, të përdorur me sukses edhe më parë, u mundësua fitorja zgjedhore e rradhës për E.Ramën, Njeriu, për të cilin jemi plotësisht të bindur se ka ngritur dhe kthyer në sistem kriminalizimin e procesit zgjedhor në Shqipëri.

Por, ne jemi njëkohësisht të vetëdijshëm se drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratie (PD), institucionalisht të përfaqësuar nga kryetari i partisë, nuk mundën të krijojë frymën e premtuar, nuk arritën të mobilizojnë qytetarët, ashtu siç ishin përbetuar prej disa muajsh dhe, për pasojë, nuk arritën të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për të mundësuar fitoren e garantuar publikisht. Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm për këto, zgjedhjet e 25 prillit nuk duhej dhe nuk mund të humbeshin kurrsesì!

Zgjedhjet janë humbur njësoj, me rezultat të njëjtë si në vitin 2017. Partia Socialiste (PS) dhe aleatët e saj kanë 77 vende në Kuvend, si edhe më parë. Opozita ka vetëm 63! Përkëmbimi nga PD tek LSI në vitin 2017 dhe nga LSI tek PD në vitin 2021 nuk është fitore dhe nuk e mbulon humbjen. PD nuk po garonte për vend të dytë kundër LSI.

PD ose fiton ose humb !

Pjesëmarrja me 46% në zgjedhje, po aq sa në vitin 2017, është një tregues domethënës se PD nuk i frymëzoi, nuk i mobilizoi qytetarët dhe as nuk siguroi mbështetjen për fitore! Votuesi tradicional i partisë, që nuk e mbështeti me votë në  vitin 2017, nuk u kthye në 25 prill për të votuar.

Humbja nuk mund të justifikohet me asgjë nga sa po dekrarohet tani! Sepse janë të gjitha justifikime që akuzojnë dhe dëshmojnë qartë papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë politike dhe drejtuese të kryetarit të partisë dhe drejtuesve të tjerë kryesorë të saj, që garantuan sigurinë për të mbrojtur votën e qytetarëve.

Jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia për zgjedhjet është përgjegjësi politike e drejtuesve të lartë të partisë. Në politikë një drejtues mban përgjegjësinë e dështimit, pavarësisht nga arsyet e dështimit.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtuesit e lartë të partisë duhet të marrin përgjegjësitë për këtë humbje kaq të rëndë. Partia Demokratike ka shembull të një sjelljeje politike e qytetare. Z. Sali Berisha, dhe drejtues të tjerë të lartë të saj morën përgjegjësinë dhe vendosën një standard.

Largimi, dorëheqja e parevokueshme e z. Basha jo vetëm nuk është fundi i PD-së por është fillimi i ringritjes së saj. Ai i detyrohet partisë.

Mendojmë se mospjesëmarrja në reformën për ndarjen administrative dhe përqëndrimi i pushtetit në qytetet-qendra solli mbizotërimin e PS në territor dhe shkëputjen e qytetarit nga pushteti vendor.

Mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të vitit 2019 i la fushë të hapur socialistëve. Premtimi që zgjedhjet nuk do të mbahen doli i pavërtetë dhe sot PD nuk ka asnjë të zgjedhur a zyrtar në nivel qëndror e lokal.

Dalja nga parlamenti i dhuroi PS-së hapësirën mediatike dhe sheshbetejën politike. Për më tepër, dalja nga parlamenti lejoi hyrjen në parlament të listës së PD-së që rezultoi e shitur dhe se ishte përzgjedhur në mungesë të plotë të përgjegjësisë politike nga LB. Me ata u krijua një shumicë kushtetuese nga PS që bëri të mundur epërsinë e saj me ligj. Partia Demokratike u bë e parëndësishme institucionalisht.

Mendojmë se konsensusi për marrëveshjen e 5 majit 2020, me gjithë pasojat e saj, si dhe pamundësimi i koalicioneve zgjedhore, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët.

Brenda partisë, kryetari nuk mori përgjegjësi për humbjen e viti 2017. Më pas, zgjedhjet për kryetarin e PD, me mospjesmarrjen e gjerë të anëtarësisë, nxorrën një Kryetar pa mbështetje dhe pa legjitimitet. Në Kuvendin e PD të vitit 2019 u përjashtuan të gjithë ata që kishin kërkuar analizë dhe marrjen e përgjegjësive.

Lista e vitit 2021 ishte sërish lista e kryetarit, i cili emëroi kryesuesit në disa qarqe me vendim vetjak, kurse lista e plotë thjesht u lexua me zë dhe pa figurë on-line një orë para depozitimit në KQZ. Kryetari nuk kishte mësuar asgjë nga humbja e vitit 2017 por dhe nuk kishte harruar asgjë. Shkelja që ai i bëri Statutit të partisë ishte e njëjtë si në vitin 2017.

Vendi është në duart e pak njerëzve që vendosin për gjithçka: ekonominë, tregun, mediat, partitë. Problemi kryesor i vendit është se politika dhe ekonomia janë përqëndruar në shumë pak duar; çdo vendim merret në shërbim të shumë pak njerëzve. Shteti është i kapur; maxhoranca e kapur; opozita e kapur. Nuk funksionon shteti ligjor dhe liria e personit, nuk funksionon tregu, nuk funksionon administrata, nuk funksionojnë partitë. Njeriu i thjeshtë nuk është i përfaqësuar. Pushteti lokal është lart dhe larg qytetarit, ky nuk është i përfaqësuar dhe komuniteti nuk ka më vlerë.

Parlamenti del nga listat e kryetarëve, deputeti nuk ka lidhje me zgjedhësin por me kryetarin e partisë së tij. Partitë janë kthyer në ndërmarrje personale ose familjare, nuk diskutohet, nuk merren vendime institucionalisht dhe nuk përfaqësojnë. Kriza e demokracisë shqiptare është krizë e përfaqësimit. Zëri dhe vota nuk dëgjohen, nuk vlejnë dhe nuk kanë dinjitetin që u takon. Ato shtypen, blihen, korruptohen. Në këtë mjedis korrupsioni mbretëron. Krimi i ka dyert e hapura deri në qeveri. Sistemi partiak ka mbyllur çdo hapësirë të mendimit të lirë ku shoqëria civile në shumicë janë bërë zvarritje e PS-së, , autonomia e universiteteve është e kompromentuar.

Rreziku më i madh që na kanoset është përshtatja e qytetarëve me këtë gjendje, pranimi i pafuqisë së tyre e të votës së tyre. Ky rrezik në PD mund të krijojë sindromën e humbësit dhe glorifikimit të humbësit dhe çmobilizon votuesin e PD.

Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që ka dhënë kontribute themelore për demokracinë në vend. Jemi të bindur se vetëm ajo mund të luftojë për lirinë e individit dhe autonominë e personit, autonominë e komuniteteve, votën e lirë dhe të ndershme, barazinë e operatorëve në treg, lirinë akademike, etj.

PD duhet t’i kthehet rrënjëve të saj, traditës më të mirë të saj dhe të shikojë nga e ardhmja për një vend të lirë e modern: të lirë nga krimi dhe korrupsioni, të lirë nga kapja e partive dhe institucioneve nga një grusht njerëzish. PD duhet të koregjojë edhe gabimet e veta dhe të orientohet pa mëdyshje nga liria e individit, familja, tregu, prona, shoqëria, autonomia lokale, demokracia partiake.

Reformimi i PD-së është parakusht, nuk mund të bëjmë zgjedhje të lira në vend kur nuk i bëjmë në parti, nuk mund të ketë liri në vend kur nuk ka në parti, nuk mund të kërkojmë një qeverisje më të mirë në vend kur nuk qeveriset mirë partia, nuk mund të luftojmë korrupsionin në vend kur korrupsioni gëlon në krye të partisë.

Ne propozojmë një reformim të thellë të Partisë Demokratike, modelin e hapjes dhe bashkimit, kthimin në një progam të qartë të së djathtës konservatore moderne, ndryshimet statutore që t’i hapin rrugën përfaqësimit brenda partisë dhe të zgjedhurve të saj, debatit të lirë dhe ringritjes së dinjitetit të anëtarit dhe institucioneve të saj.

Kjo PD mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike. Kjo PD mund të përfaqësojë interesin qytetar dhe interesin e vendit. Vetëm kjo PD mund të fitojë.

Ky grup Për PD-në është i hapur, ne bëjmë thirrje për reflektim dhe ftojmë të mblidhemi rreth principeve jo personave, idealeve themeluese të PD-së që janë po aq aktuale sot sa 30 vjet më parë dhe modeleve e traditave më të mira të PD-së në këto vite.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu