Hapësire reklamuese

Politikë

Mbi 7 miliardë euro, ja përfitimet nga Buxheti i Shtetit 2024

Shkruar nga Newsbomb
Mbi 7 miliardë euro, ja përfitimet nga Buxheti i Shtetit 2024

Edhe pse është çështja që prek drejtëpërdejtë çdo qytetar, Buxheti i Shtetit kaloi për miratim me shumë zhurmë, por pa diskutim.

Buxheti do të kalojë të ardhura mbi 7 miliardë euro, mbi një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm. Por kush janë kategoritë që preken?

Në fokus brenda vitit 2024 synohet arritja e objektivit të vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Buxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin para-universitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore.

Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Përsa i përket mbështetjes për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, janë alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Buxheti do të vazhdojë të financojë procesin e rindërtimit, si dhe është rritur ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qendrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë.

Ndërkohë për 2024 janë shtyrë planet për përfshirjen e TVSH-së në arsim dhe në shërbimet financiare të parashikuara për tu aplikuar në fillim të janarit 2024. Qeveria në dakortësi me FMN-në do të rishikojë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, për përmirësimin e administrimit fiskal.

Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë.

Ministria e Financave ka propozuar vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite.

Gjithashtu, në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Më tej, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë.

Me miratimin në Këshillin e Ministrave, projektbuxheti 2024 dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen një faze të gjerë diskutimesh në komisionet parlamentare, ndaj do të kemi kohë dhe për të adresuar pyetjet që mund të lindin, si nga ana e mediave, por edhe nga ana e deputetëve, qytetarëve apo grupeve të interesit.

Më poshtë, janë disa nga prioritetet kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm, që përfshijnë koncesionet për ndërtimin e rrugëve dhe autostradeve, ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas dhe Linja Tiranë-Durrës, mbështetja për energjinë elektrike, usjësjellëta, etj.

Prioritetet 2024-2026

– Zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare nëpërmjet, ndërtimit, rehabilitimit dhe sistemimit të rrugëve kombëtare dhe përveç kësaj kalimin në praktikat e mirëmbajtjes së rrugëve bazuar në performancë;

– Zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve përmes: (i) një portofoli të investimeve publike; dhe (ii) përmirësimit rrënjësor të menaxhimit të shoqërive aksionere të ujësjellës kanalizimeve, duke standartizuar parimet e qeverisjes së sektorit;

– Rritja e efiçencës së energjisë kundrejt konsumit të përgjithshëm final të energjisë nëpërmjet shqyrtimit të programeve për promovimin e tregut, për penetrimin e teknologjive të përparuara si dhe rritjen e përdorimit të energjive të rinovueshme;

Rezultatet që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2024-2026

Programi “Transporti Rrugor”

– Për tre vitet e ardhshme, kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit janë:

– Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit;

– Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rrugës Milot – Morinë;

– Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rruges Orikum – Dukat, By Pass-Porti i Jahteve;

– Projektet kryesore për periudhën afatmesme janë sa vijon:

– Ndërtim Tuneli i Llogarasë;

– Porti Detar i Durrësit “Porto Romano”

– Hekurudha Tiranë-Rinas dhe Linja Tiranë-Durrës;

– Zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë;

– 3532 km rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve në vitet 2024-2026 në të gjithë territorin;

Programi “Ujësjellës Kanalizime”

– Reduktimi i humbjeve në rrjet në nivel kombëtar në masën 57% në vitin 2026 nga 63% që parashikohet në vitin 2023;

– Orët mesatare të furnizimit me ujë të pijshëm synohet të rritet në 19 orë/dite në vitin 2026 nga 16 orë/ditë në vitin 2023;

– Orët e furnizimit me ujë në zonat bregdetare synohet të arrihet në 21 orë/ditë në vitin 2026 nga 18 orë/ditë në vitin 2023;

– Mbulimi me shërbim furnizimi me ujë të pijshëm zonë Urbane në 95.5% në vitin 2026 nga 94% në vitin 2023;

– Mbulimi me shërbim furnizimi me ujë të pijshëm zonë Rurale 67% në vitin 2026 nga 60% në vitin 2023;

– Mbulimi me kanalizime në zonat Urbane në 85% në vitin 2026 nga 83.5% në vitin 2023;

– Mbulimi me kanalizime në zonat Rurale 18% në vitin 2026 nga 13.5% në vitin 2023;

– Sasia e ujit të faturuar synohet të arrihet në 120 litër/ frymë/ditë në vitin 2026;

– Mbulimi me shërbimin e ITUN (kanalizime+gropa septike) synohet të arrihet në nivelin 18% në vitin 2026 nga 15.5% në vitin 2023;

– Përqindja e mbulimit të kostove të Ujësjellës-Kanalizimeve me të ardhurat synohet të arrihet në  vlerën 75% në vitin 2026 nga 64% në vitin 2023;

Programi “Mbështetje për Energjinë”

– Rritjen e përdorimit të Energjive të Rinovueshme nga 40% në vitin 2024 në 41% në vitin 2025;

– Rritja e eficencës së energjisë nga 7% në vitin 2024 në 7.5% në vitin 2025;

– Reduktim i mëtejshëm i humbjeve të energjisë elektrike në 20% në vitet 2024-2025;

– Rritja e prodhimit vendas së energjisë elektrike me 70% për vitet 2024-2025;

– Rritja e përdorimit të biokarburanteve në sektorin e transportit me 10% për vitet 2024-2025;

Programi “Mbështetje për Rrjetet e Komunikacionit”

– Rritjen e zhvillimit të infrastrukturës broadband në Republikën e Shqipërisë në 55% në vitin 2025 nga 44% që parashikohet në vitin 2024;

– Rritja e penetrimit broadband në nivel Republike të Shqipërisë në 65% në vitin 2025 nga 45% që parashikohet në vitin 2024.

Programi “Transporti Ajror”

-Rritjen e standarteve dhe performancës së Organit Kombëtar të incidenteve /Aksidenteve ajrore nëpërmjet investimeve për forcimin e kapaciteteve;

-Numri i investigime të kryera lidhur me parandalimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore parashikohen 6 investigime për çdo vit; · Integrimi i aviacionit civil shqiptar në sistemet evropiane të transportit ajror, ku synohet përafrimi i legjislacionit 100% në vitin 2026;

Programi “Transporti Detar”

-Rritja e nivelit të investimeve dhe kapaciteteve përpunuese të porteve në masën 35% për vitet 2024-2025;

– Financimi i projektit të ri “Ndërtimi i Portit të ri tregtar Porto Romano Durrës” përgjatë 2024- 2026;

Programi “Transporti Hekurudhor”

– Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas;

-Zgjatim i rrjetit hekurudhor kombëtar në qendrën e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë (Projekti i zgjatimit të linjës hekurudhore terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë si zgjatim i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë) Programi “Mbështetje për Burimet Natyrore”

-Synohet nxitja e rritjes së sektorit përmes promovimit dhe inkurajimit të zbulimit të burimeve të reja potenciale mineralmbajtëse, nëpërmjet kompanive vendase e të huaja, të vogla dhe të mesme;

– Rritja e lejeve minerare aktive në të cilat zhvillohet aktivitet minerar konform standarteve në 595 leje në vitin 2026 nga 580 leje në vitin 2023;

-Studime mbi burimeve hidrologjike dhe minerare të pashfrytëzuara dhe parandalimin e rreziqeve gjeologo – mjedisore nëpërmjet monitorimit në 25 studime në vitin 2026;

-Përmirësimi i transparencës së biznesit në industrinë nxjerrëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit.

Programi “Mbështetje për Industrinë”

-Rritja e nivelit të sigurisë së shfrytëzimit, mirëmbajtjes dhe përdorimit të produkteve/ pajisjeve / instalimeve;

– Rritja e standardeve të produkteve dhe sigurisë së pajisjeve / instalimeve me 20% për vitet 2024- 2026;

– Reduktimi i rrezikut nga kimikatet e rrezikshme në 15% në vitin 2026. · Rritja e numrit të mostrave të analizuara të naftës dhe nënprodukteve të saj, të prodhuara në vend dhe të importuara në masën 14 500 në vitin 2026;

-Rritja e standardeve të naftës dhe nënprodukteve të saj nëpërmjet përdorimit të aparaturave specifike testuese;

Programi “Planifikimi Urban”

-Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i balancuar i territorit, duke zbutur pabarazinë rajonale, për garantimin e ekuilibrit midis interesave publike dhe private, në zhvillimin e territorit;

-Hartimin e rregullave dhe standardeve të projektimit në disa fusha si dhe përafrimit të legjislacionit me standardet e BE-së;

 

 

 

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese