Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Mbetjet dhe opozita e mbetur

Shkruar nga Newsbomb

Shkruan Ornela Çuçi

Me udhëheqje të hapërdarë, programe utopike – pa lidhje me njëra-tjetrën dhe pa orientim të qartë – ajo që ka mbetur nga opozita është përqendruar te mbetjet. Pasi nuk ka qëlluar disa herë në shenjë, tani ka gjetur një tabelë të re qitjeje: inceneratorët.

Midis dokumenteve pa fund e pa krye, diskutimeve juridike e ekonomike nga ekspertë mjedisi dhe një çoroditjeje të pashpjegueshme politike, ajo mundohet ta fshehë të vërtetën. E vërteta është se ka ardhur koha që Shqipëria t’i menaxhojë dhe jo t’i hapërdajë mbetjet e saj nëpër Mesdhe.

Shqipëria e ka miratuar Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të mbetjeve para dhjetë vjetësh. Dhe, në hyrje të saj thuhet: “Administrimi i mbetjeve në Shqipëri është në një nivel shumë të ulët. Me sisteme për grumbullimin e mbetjeve të ngurta janë pajisur vetëm qytetet, por jo zonat rurale. Praktikohet shumë pak riciklimi. Kryesisht mbetjet asgjësohen në vendgrumbullimet e mbetjeve. Me disa përjashtime të vogla (landfill-et e Sharrës dhe të Bushatit) nuk ka venddepozitime të tjera të planifikuara si duhet”.

Me fjalë të tjera, vendi nuk menaxhonte, as nuk riciklonte mbetjet. Këtë pasqyrë e japin edhe shifrat e INSTAT. Bazuar në to, në vitin 2013, rreth 50 për qind e mbetjeve të qytetarëve shkonin në kosh plehrash. Nga to, pas grumbullimit, vetëm 16 për qind depozitoheshin në një vendgrumbullim anës lumenjve.

Studimi i realizuar, me ndihmën e Ambasadës së Zvicrës, vuri në pah se janë trashëguar 199 venddepozitime pa asnjë kusht sanitar, nga të cilat 130 në shtratet e lumenjve dhe 44 në një largësi deri në 300 metra nga zonat e mbrojtura. Pjesa më e madhe e tyre, me vendime absurde të këshillave të rretheve apo komunave. I tillë është rasti i venddepozitimit në Otllak të Beratit. Ai ka 40 vjet që përcjell mbetjet në lumë, me një vendim të Këshillit të Rrethit të vitit 1988.

Për një kohë të gjatë, është trumbetuar se menaxhimi i mbetjeve është përgjegjësi e Kryetarëve të Njësive të qeverisjes vendore. Shumë prej tyre madje janë gjobitur, në shkelje të plotë të strategjisë së miratuar më 2011. Në të tregohej qartë se si pika fundore menaxhohet si rajon. Por, në anën tjetër dënohej kryetari, sepse nuk kishte menaxhuar diçka që s’i takonte të menaxhonte. Ky ishte shembulli i një shteti që vetë shkruante dokumente, vetë nuk i zbatonte dhe gjobiste të tjerët për punët që vetë s’i kryente.

Strategjia e vitit 2011 dhe zbatimi i saj në dy vitet pasuese, pa asnjë hezitim, mund të përdoret në auditorë për t’u shpjeguar studentëve sesi nuk duhet të menaxhohen mbetjet në një vend.

U desh shumë punë që të ndërrohej ai kurs i mbrapshtë. Tani, tetë vjet pas, realiteti është krejt tjetër. Këtë e tregojnë edhe shifrat. Bazuar në ato të INSTAT, 82 për qind e mbetjeve grumbullohen dhe nga to 69 për qind depozitohen në një landfill, apo impiant të rikuperimit të energjisë, në kushtet më të mira higjienike. Në proces rehabilitimi janë edhe 10 venddepozitime, në mënyrë që asnjë bashki të mos i depozitojë mbetjet në lumenj.

Otllaku duket ndryshe. Asnjë mbetje nuk depozitohet në shtratin e lumit Osum. Për më tepër, diga mbrojtëse do ta pengojë t’i ndotë tokat fqinje, gjatë vërshimeve në dimër.

Kur ekspertët e opozitës bënin “Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis” të Sharrës, duhet të kenë ndjerë të njëjtin kutërbim që ndienin banorët e zonës deri në Kombinat për pothuaj 30 vjet. Sot zona ka shpëtuar, jo vetëm nga kutërbimimi, por mbi të gjitha nga ndotja që një vendgrumbullimi mbetjesh i lënë në mëshirë të fatkeqësisë së mosmenaxhimit, rrezikonte shëndetin e të gjithëve.

Ata ekspertë, ose nuk e njohin realitetin, ose fshihen midis shkresave, pa dashur që popullit t’i japin llogari. Për më keq, hierarkinë e mbetjeve të mësuar prej tyre në leksion, e përdorin vetëm për të shkruar në dërrasë. Aty thuhet qartë: landifillimi rreshtohet si mënyrë menaxhimi, pas rikuperimit për energji.

Në vitin 2013, Evropa nuk do të mund t’i landfillojë më shumë se 10 për qind të mbetjeve. Pjesa tjetër do të menaxhohet nga hallkat e tjera. Shqipëria do ta ndjekë këtë numër, si qëllim.

Venddepozitimi na pati bërë vendin me lumenjtë më të pistë. Landfillimi do të na ndalohet fare. Riciklimi është kërkesë e madhe, sepse kërkon ndërgjegjësim brezash dhe ai kërkon kohë. Impiantet e rikuperimit të energjisë vihen në qendër të sulmeve të udhëheqjes pa drejtim të opozitës. Këtu lind pyetja: çka duhet të bëjmë me mbetjet tona?

Ju, të nderuar ekspertë opozitarë, juristo-ekonomistë dhe teknikë mjedisi: këto investime mbi të cilat gjithë ditën hidhni baltë nga llogoret ku e keni pozicionuar veten, e kanë përmirësuar apo përkeqësuar situatën e mjedisit në Shqipëri?

A mund ta thoni të vërtetën e kësaj, të papërbaltur dhe të pangjyrosur politikisht? Të tjerat do t’i thotë drejtësia e cila, falë reformës, është pastruar e çngjyrosur.

I papastruar, i ngjyrosur dhe i paqartë mbetet rrëfimi i opozitës. I pakuptueshëm, mbi të gjitha. Për çdo çështje dhe në secilin rast. Nuk kuptohet asgjë, nga ata që flasin dhe premtojnë gjithçka.

Do t’u duhej një popull i rënë në gjumë, për t’i parë ëndrrat me lekë që bien nga qielli, që t’u besojë atyre premtimeve. 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll