Hapësire reklamuese

OpEd

MBËRRIN NJË ÇAST ...

Shkruar nga Newsbomb
MBËRRIN NJË ÇAST ...

MBËRRIN NJË ÇAST ...

Pasi ke përshkuar milje e kilometra, je përballur me sfida e probleme, ke arritur objektiva e synime, je përplasur me njerëz e situata nga më të ndryshmet, i ke kërkuar Zotit fuqi që të luftosh e të mos zmbrapsesh, ke kërkuar gjithmonë të renë, befasinë, rrugëdalje nga udhëkryqe, pasi ke shkuar buzë greminës e je ringritur, befas mbërrin një çast që ndjen nevojës e paqes. Mbyll sytë i ulur diku në një cep të dhomës, pas një dite të gjatë, e këmbët ia lënë vendin mendimeve.

E nis habitesh pse njerëzit nuk e duan paqen, pse popujt luftojnë e urrejnë njëri-tjetrin, pse miqtë tradhëtojnë besimin e njëri-tjetrit, pse dy bashkëshortë apo dy vëllezër a motra nuk i flasin njëri-tjetrit, pse nuk është e mundur që kundërshtarët të ulen përreth një tryeze dhe të gjejnë një zgjidhje në emër të së mirës për të gjithë, pse babëzia e dikujt i heq bukën e gojës dhe mundësitë shumë të tjerëve, pse dikush dhunon familjen e tij apo popullin e tij. E nuk arrin ta kuptosh këtë gjë. Ndjen se harmonia dhe ajo nevojë e ëmbël, aq e dëshirueshme për paqe, sikur shkërmoqet para syve të tu.

E megjithatë e ndjen thellë se, kjo ndjenjë paqeje dhe harmonie që ekziston tek ti, mund të jetë e pranishme me siguri tek shumë të tjerë. Janë diku tjetër, të tjerë njerëz, që e duan paqen e zemrës e dëshirojnë atë për vete e për të tjerët. Fillon e i ndjen të gjithë ata anonimë, imagjinon fytyrat e tyre e të bëhen papritur miq e shokë. Ia nis e mendon se ndoshta po të ishim bashkë e ta kërkonim me ngulm këtë paqe ajo do të ishte e mundur.

Nëse jeni diku tregojeni se e doni edhe ju këtë paqe të zemrës për veten tuaj dhe mes njerëzve, se nuk jam vetëm unë që do të doja të shihja një botë më të mirë njerëzish që duan njëri-tjetrin, duan botën përreth dhe e duan atë më të bukur për vete dhe për brezat që do të vijnë./ Dom Gjergj Meta

Javë të paqtë!

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese