Babë e bir kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit, pasi mbanin armë pa leje në shtëpi. Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet policore kanë kontrolluar shtëpinë e tyre në Shijak dhe kanë gjetur një pistoletë.
Po ashtu, është kontrolluar dhe makina me të cilën lëvizte djali 21 vjeçar dhe në të janë gjetur dy armë të ftohta, një dorezë dhe një shkop metalik.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, kanë siguruar informacion se 2 shtetas (babë e bir) mbanin pa leje armë zjarri dhe armë të ftohta. Menjëherë është organizuar puna dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Pjezga”, është goditur një rast tjetër i kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gj. H., 52 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Pjezgë, Shijak.
Në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë, ndërsa në automjetin me të cilin qarkullonte 21-vjeçari, u gjetën 2 armë të ftohta (dorezë dhe shkop metalik).
Arma e zjarrit dhe armët e ftohta u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme", njofton Policia e Durrësit.