Akuzat dhe pretendimet se pajisjet e identifikimit elektronik kanë kushtuar 23 milionë euro, edhe përse në të vetmen ditë që duhet të punonin një pjesë nuk funksionuan, duket se nuk qëndrojnë. Shifra është dyfish e fryrë dhe siç do ta faktojmë në këtë artikull, ajo nuk i kalon 11 milionë dollarë.
Të dhënat e prokurimit tregojnë qartësisht se shuma e pretenduar është e pavërtetë, edhe pse në mediat online dhe ato kombëtare është trumbetuar me të madhe e kundërta. Pajisjet e Identifikimit Elektronik kanë kushtuar rreth 11 milionë dollarë ose rreth 10 milionë euro.
Shuma e deklaruar nga aktorë mediatikë dhe politikë nuk ka lidhje me vlerën reale me të cilën janë blerë pajisjet PEI.
Më datë 10 shkurt 2021, KQZ nënshkroi kontratën me shoqërinë fituese “SMARTMATIC INTERNATIAONAL HOLDING B.V”, pas kërkesës që i ishte dërguar më parë 22 kompanive të fushës. Vetëm shtatë prej tyre janë përgjigjur pozitivisht dhe një ndër to ka qenë kompania fituese.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 19.975.774,23 USD pa TVSH dhe nuk ka pasur asnjë kontestim.
Nga vlera e mësipërme e kontratës, blerja e pajisjeve ka kushtuar vetëm 11.851.320 USD. Një pajisje e identifikimit elektronik së bashku me aksesorët kushton 2.140 USD. Në total janë blerë 5.538 copë.
Pjesa tjetër e tenderit nuk ka lidhje me pajisjet, por ka të bëjë me furnizimin me hardware dhe software; instalimin dhe testimin e pajisjeve, koordinimin e dërgesës, shpërndarjen e pajisjeve në terren dhe tërheqjen përfundimtare; trajnime, ngritjen dhe operimin e një qendre thirrjesh në Tiranë, e kombinuar me mbështetje teknike në terren; Menaxhimin e projektit dhe shërbime të tjera të lidhura me të.
Kontrata e KQZ me SMARTMATIC by Newsbomb Albania on Scribd
Shuma prej 23 milionë euro ishte në qendër të debatit dhe akuzave që vazhduan dhe në ditët e mëvonshme, pas 14 Majit. Kryeministri Edi Rama tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbante përgjegjësi, pasi votuesit që kishin pritur për dy orë dhe s’kishin votuar, rrezikonin të mos ktheheshin më për të ushtruar të drejtën e tyre.
Kurse kandidatët e opozitës e përdorën këtë si një alibi për të justifikuar humbjen. Disa thanë se KQZ ishte përgjegjëse për pjesëmarrjen e ulët, ngaqë votuesit u penguan të votonin, ndërsa të tjerët thanë se këto pajisje kishin favorizuar partinë në pushtet.
“Përqindja e pajisjeve që rezultonin që kishin transmetuar ka qenë diku te 85%. Pjesa e mbetur, bëhet fjalë për pajisje që duhet t’i kategorizojmë në dy problematika. E para, në këtë 15% bëhet fjalë për pajisje që kanë funksionuar por që nuk kanë transmetuar dhe për shkak të mos-transmetimit është krijuar përceptimi që nuk kanë funksionuar.
Nga të dhënat paraprake që kemi, rezulton që identifikimi është filluar me këto pajisje dhe ka përfunduar me to. Dhe një pjesë tjetër kanë qenë qendra votimi të cilat dihen që pajisja nuk do përdorej sepse dihej që kishte mungesë operatorësh. Nuk u arrit të mbulohej me operatorë”, thotë nënkomisionerja Lealba Pelinku.
Ndërkohë, e pyetur për akuzat se mosfunksionimi i pajisjeve të identifikimit në dy orët e para të procesit ka ndikuar në uljen e numrit të votuesve, nënkomisionerja thekson se për këtë nuk ka një matës por, sipas saj, një shtetas që ka vendosur të ushtrojë të drejtën e tij mund të ketë pritur ose është rikthyer më vonë.
Megjithatë, problemet e mundshme të këtyre pajisjeve janë parashikuar në ligj dhe orari i caktuar për zëvendësimin apo riparimin e tyre, gjithashtu.
“Problemet me mosfunksionimin e pajisjes janë probleme që janë parashikuar nga KQZ me aktet e tij. Është marrë parasysh edhe mundësia që një pajisje, qoftë në fillim apo qoftë gjatë ditës së zgjedhjeve të shfaqë problematika. Për këtë arsye është parashikuar një orar i caktuar brenda të cilit duhet t’i jepet mundësia të riparohet ose të zëvendësohet”, vijon Lealba Pelinku.
//Nga ILIR XHAFAJ