Drejtori i FSB Alexander Bortnikov ka ndarë detaje të reja mbi ndalimin e terroristëve që morën pjesë në sulmin në sallën e Bashkisë Crocus.
“Drejtori i FSB-së, Bortnikov, i raportoi Putinit për ndalimin e 11 personave, të katër terroristë që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist”, tha shërbimi i shtypit presidencial.
Sipas shërbimit të inteligjencës, katër të dyshuar u arrestuan në rajonin e Bryansk.
" Pas kryerjes së sulmit terrorist, ata tentuan të arratiseshin me një makinë dhe të kalonin kufirin ruso-ukrainas. Kriminelët kishin kontakte nga pala ukrainase. Tashmë po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre. Armët e përdorura nga terroristët ishin përgatitur paraprakisht në një depo," raportojnë mediat ruse.
Sipas Komitetit Hetimor, deri më tani 93 persona kanë humbur jetën. Ministria e Shëndetësisë e Rajonit të Moskës publikoi një listë që tregonte 37 të vdekur, ndër to edhe 3 fëmijë.
Sakaq, Bashkimi Europian përmes një reagimi të përfaqësuesit të politikës së jashtme, Peter Stano ka shprehur tronditjen dhe neverinë për sulmin terrorist në vendin e koncerteve në Crocus të Moskës.
Përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, përmes një postimi në rrjetin social “X”, thotë:
“BE-ja është e tronditur dhe e tmerruar nga raportet për një sulm terrorist në vendin e koncerteve të Crocus City Hall në Moskë. BE dënon të gjitha sulmet kundër civilëve. Mendimet tona janë me të gjithë ata qytetarë rusë që janë prekur”,- ka shkruar Peter Stano.
Ukraina më herët u distancua nga sulmi në Moskë. Këshilltari i lartë i Presidentit të Ukrainës Zelensky, Mikhailo Podolyak është shprehur se Ukraina nuk është e përfshirë me sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus.
“Le të jemi të qartë, Ukraina nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këto ngjarje”.
Disa orë pas sulmit terrorist mediat ndërkombëtare citojnë se një burim sigurie i tha agjencisë ‘Amaq’ se luftëtarët e ISIS kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në Moskë.
Sipas medias, ISIS thotë se sulmuan një tubim të madh të krishterësh në qytetin Krasnogorsk, në periferi të kryeqytetit rus Moskë, duke vrarë dhe plagosur qindra njerëz dhe duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në vend përpara se të tërhiqej i sigurt në bazat e tyre.
Lexo edhe: Mbi 40 të vdekur nga sulmi terrorist në Moskë, Shtëpia e Bardhë: Mendimet tona janë me viktimat
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, në reagimin për sulmin terrorist në sallën e koncerteve në Moskë, i përshkruan imazhet “të tmerrshme”.
“Mendimet tona padyshim shkojnë te viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm”, – ka thënë Kirby.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se Shtëpia e Bardhë po punon për të mbledhur më shumë informacion mbi sulmin. Ai gjithashtu kërkoi që shtetasit amerikanë të qëndrojnë në kontakt me Departamentin e Shtetit për përditësime dhe informacione të mëtejshme. Kujtojmë se më 7 mars ambasada e SHBA paralajmëroi qytetarët e saj që të shmangnin turmat dhe tubimet në Moskë.
Nga ana tjetër reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Moska.
“I gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë sulmin terrorist që ndodhi mbrëmjen e sotme në Moskë në sallën e qytetit Crocus.” – kështu deklaroi Ministria e Jashtme ruse e cituar nga Ria Novosti.
Lexo edhe: Sulm terrorist në Moskë, të paktën 40 të vdekur dhe 100 të plagosur
Pas të shtënave masive në sallën e koncerteve, kryetari i bashkisë së qytetit njoftoi në kanalin e tij zyrtar Telegram se po vendosen masa të veçanta sigurie për shkak të rrezikut të sulmeve të reja.
Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, deklaroi se të gjitha ngjarjet sportive, kulturore dhe të tjera masive në kryeqytetin e Rusisë do të anulohen.
Gjithashtu, masat e sigurisë janë shtuar në aeroporte, ndërsa udhëtarët këshillohen të mbërrijnë herët për fluturimet e tyre.