Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Nikoll Sherrnikut, të riut të akuzohet se ka siguruar kushtet për masakrën e ndodhur në lokalin në pronësi të Fation Muratit, në zonën e "Don Boskos".
Persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov janë pozicionuar në rrugën "Anastas Shundi" në Tiranë dhe hapën zjarr drejt lokalit të Muratit, teksa në disa tavolina ndodheshin familjarët e këtij të fundit.
Fatkeqësisht, nga breshëria e plumbave humbi jetën banakierja Mimoza Paja.
Nga hetimet në lidhje me këtë ngjarje që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 13 Marsit 2023, u arrit të zbuloj se personi që kishte siguruar targat e makinës me të cilën u krye vrasja ishte shtetasi Nikoll Sherrniku.
Makina e atentatorëve u gjet e djegur në fshatin Likmetaj të Durrësit dhe hetuesit që shkuan atje, gjetën një palë targa gjermane. Prokuroria e Tiranës e akuzon Nikoll Sherrnikun se gjatë kohës që ishte në "Arrest në shtëpi", ka shkuar në Gjermani dhe ka siguruar targat gjermane në një servis në pronësi të një shqiptari të Kosovës.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Sherrniku akuzohet për veprën penale "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", pasi dyshohet se ka marrë targat në Gjermani dhe ia ka dorëzuar shtetasit Ervis Martinaj.
Ky fakt është zbardhur dhe nga një dëshmitar i Prokurorisë së Tiranës, i cili sipas News 24 ka treguar se Nikoll Sherrniku i kishte thënë se targat që kishte marrë në Gjermani në servisin "Auto Gago", do t’ia jepte Ervis Martinaj, të cilin e thërriste “shefi”.
Dyshohet se atentati në lokalin e Fatjon Muratit është bërë si hakmarrje nga njerëzit e të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, pasi më herët është përfolur se Murati ka qenë i përfshirë në atentatin ku u vra kushëriri i Ervis Martinajt, Brilanti, dhe dy miqtë e tij.