Në një deklaratë pas mbledhjes me grupin e deputetëve demokratë mbështetës të thirrur nga Gazment Bardhi, ish kryeministri Berisha paralajmëron ta çojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
'Përsa i përket marrëveshjes së emigrantëve, do të përgatitet teksti dhe do të dërgohet në Kushtetuese. Ne mendojmë se ka një shkelje serioze të kushtetutës, firma e Edi Ramës. Mendojmë se ka probleme serioze të të drejtave të njeriut, ndaj dhe duke mbajtur qëndrimin tonë negativ, opozita do ti drejtohet gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen,'- tha ish Kryeministri.
Ai gjithashtu foli dhe për tensionet në Kuvend, ku u shpreh se kërkon që opozitës t’i rikthehet e drejta kushtetuese dhe se nuk do të ketë seanca normale nëse nuk i kthehen të drejtat opozitës mbi komisionet hetimore.
‘’Qëndrimi i Edi Ramës dhe Linda Nikollës në parlament është më antidemokratik, antiligjor, antikushtues që është mbajtur ndonjëherë. Beteja vazhdon pa kthim. Do vendosim normalitet në parlament vetëm nëse na kthehen të drejtat tona’’, - u shpreh Berisha.
Prej disa javësh opozita po krijon tension dhe kaos në Kuvend, ku sipas tyre kjo është forma e tyre e të protestuarit pasi mazhoranca po i shkel të drejtat kushtetuese duke mos i lejuar të vendosin mbi anëtarët e Komisionit Hetimor Zgjedhor si dhe refuzimin për nisjen e disa komisioneve të tjera hetimore.