Nga KLODIANA LALA
Elena Hysa po kujdesej për foshnjën e saj 4 muajshe dhe po bisedonte qetësisht me nënën e saj Kujtimen, kur ish-bashkëjetuesi i saj, Dan Hutra, një ish i dënuar për vrasjen e gruas së parë kapërceu pragun e banesës një katëshe në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë.
41-vjeçari ishte i armatosur me një kallashnikov që në momentin e parë, si për të treguar një shenjë nga zoti, nuk u shkrep. Me majën e një thike, mundi ta zhbllokonte armën dhe qëlloi pa mëshirë ndaj dy grave. Elena tentoi të shpëtonte të ëmën duke i dalë përpara, por të dyja ranë përtokë nga plumbat. “Pamë tmerr me sy”, thotë mes lotësh, Kujtime Hysa nga shtrati i spitalit të Traumës.
60-vjeçarja ende nuk e ka mësuar lajmin se vajza tjetër e saj, Mevlute Hysa dhe nusja e djalit Hasime Dafku, janë vrarë nga ish-dhëndrri. “Jemi 4 gra të një shtëpie në spital. I pashë vajzën e nusen e djalit të gjakosura në oborr. Të dyja dolën të lanin makinën. Nusja ishte shtatzënë 2 muajshe”, rrëfen Kujtimja. Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, të dyja 30-vjeçare u goditën për vdekje me thikë nga Dan Hutra në vetëm pak sekonda.
Motra e Elenës, u përpoq t’i shpëtonte agresorit, por ai e goditi pa mëshirë në pjesën e sipërme të trupit, derisa u siguria që ajo kishte ndërruar jetë. Vrasësi u justifikua se shkoi në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij për t’i vrarë asaj babain, Zaimin.
Por, për shkak se ai nuk ndodhej në banesë, qëlloi mbi gratë e familjes. Masakra me dy gra të vrara dhe dy të plagosura, u shënua mesditën e 1 marsit. Bilanci i viktimave atë të mërkurë do të rritej edhe më shumë duke marrë përmasat e një statistike. Siç rezultoi nga hetimet, Dan Hutra kishte plagosur para masakrës edhe një tjetër grua. Ajo quhej Marjana G, me të cilën kishte pasur lidhje intime. Ngjarja ishte shënuar në zonën e Astirit.
“Marjanës do t’i prisja kokën me biçak. Nuk përdora armën, pasi nuk doja vëmendje”, tha Hutra në dëshminë e tij gjakftohtë përpara policisë.
Por ndërsa ish e dashura e tij, ndodhej te Spitali i Traumës dhe po merrte ndihmë Mjekësore, ish i dënuari vijoi qetësisht planin e tij kriminal që e kishte bërë që më herët, kur ishte në qelinë e burgut e vuante dënimin për dhunë në familje. Ai nuk shfaqi asnjë pendesë për masakrën. Tha se e kreu me ndërgjegje, pasi dyshonte në atësinë e fëmijës. Bilanci i viktimave u bë edhe më tragjik.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e nëntëmbëdhjetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Mars dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…