Hapësire reklamuese

Politikë

Maqedonia votoi propozimin francez, vijnë reagimet e para nga BE: Mundësi historike, bashkë me Shqipërinë ju presim në union!

Shkruar nga Newsbomb
Maqedonia votoi propozimin francez, vijnë reagimet e para nga BE:

Maqedonia e Veriut ka miratuar sot në Kuvend propozimin francez për të diskutuar me Bullgarinë për çështjet e hapura mes dy vendeve. Prej dy vitesh, Tirana dhe Shkupi mbaheshin peng në rrugën e anëtarësimit për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Reagimi i parë nga Bashkimi Europian ka ardhur pak minuta më parë. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian që ishte dhe vetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dy ditë më parë për këtë temë. Ajo e quan votimin sot një mundësi historike.

"Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që tani hap rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një mundësi historike. Dhe ju e kapët atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. E ardhmja juaj", shkruan Von der Leyen.

Pak më parë, ka reaguar dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, shkruan newsbomb.al. Ai thotë se votimi i sotëm në Shkup shpejton rrugën e anëtarësimit në Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"E mirëpres votën e parlamentit maqedonas që hap rrugën për konferencat e para të anëtarësimit të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne ju duam si anëtarë të Bashkimit Evropian dhe do të jemi pranë jush gjatë gjithë rrugës", shkruan Scholz.

Edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, thotë se vendimi i marrë nga Parlamenti në Shkup është një mandat i qartë për qeverinë për të filluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare bazuar në propozimin francez. Ai konfirmon se të hënë në Bruksel priten Tirana dhe Shkupi.

"Mirëpres rezultatin e votimit të sotëm pas ditëve të fundit diskutimeve në Parlament duke dhënë një mandat të qartë për qeverinë për të filluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare bazuar në propozimin francez. Mezi presim hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa të martën takohemi në Bruksel për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, shkruan komisioneri Varhelyi.

Edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell ka përshëndetur votimin e propozimit francez. Ai thotë se ky është një hap vendimtar në rrugën drejt BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Në Maqedoninë e Veriut, Parlamenti ka votuar. Në favor të hapjes së negociatave për anëtarësim, në favor të së ardhmes sonë të përbashkët evropiane. Një hap vendimtar në rrugën drejt BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në momentet kur ne duhet të qëndrojmë së bashku për të përballuar sfidat e përbashkëta", shkruan Borell.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu