
Kreu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari ka shpallur kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut.
Ai për median është shprehur se me propozim të ASH dhe me mbështetje të Lëvizjes Europiane për Ndryshim (LEN), ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për president të shtetit.
Taravari tha se ndjehet i privilegjuar se i është dhënë mundësia për të kandiduar për president, dhe theksoi se ndryshimi i cili ka filluar nuk do të mund të ndalet. Ndër të tjera ai tha se ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të ketë një president shqiptar, jo teknik për real.
“Me propozim të ASH-së dhe mbështetjes së Lëvizjes Europiane për Ndryshim (LEN), unë sot jam këtu për të shpallur kandidaturën për president të shtetit…Unë besoj se kjo ditë është ditë e duhur për t’ia filluar. Jam i sigurt në përkrahjen tuaj, pres me respekt votën e çdonjërit prej jush. Vendit i ka ardhur koha që të ketë një president shqiptar, jo teknikisht por realisht. Ndryshimi ka nisur dhe kjo po shihet”, tha ai.
Në Maqedoninë e Veriut raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill 2024. Nëse në raundin e parë nuk merren ekuivalenti i mbi 50% të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar, atëherë zhvillohet raundi i dytë që do të mbahet më 8 maj 2024. Në rundin e dytë, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë së paku 40% që rezultati të konsiderohet i vlefshëm.
Kujtojmë që 28 Janari i 2024-ës do të mbahet mend në histori si dita kur Maqedonia e Veriut zgjodhi për herë të parë një kryeministër shqiptar. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut deri në formimin e qeverisë së re.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në vend do të mbahen më 8 maj. Qeveria e Talat Xhaferit u zgjodh më 28 janar, me 65 vota pro dhe tre kundër.