Përforcimi i masave për të hyrë në Kosovë, për shkak të pandemisë së koronavirusit ka ngjallur pakënaqësi te fqinjët.
Dhjetra qytetarë janë kthyer mëngjesin e sotmë në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjithasht në këtë doganë është raportuar dhe për dyfishimin e çmimit të testit.
Kosova kërkon tre doza të vaksinës kundër koronavirusit për të lejuar hyrjen.
Zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Ilir Hasani ka thënë se kufizimi i lëvizjes mes Kosovës dhe Maqedonisë epidemiologjikisht nuk ka asnjë peshë për momentin. Ai është shprehur se nuk po arrin të kuptojë veprimin e ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Rifat Latifi.
Po ashtu, edhe deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi ka shprehur pakënaqësi ndaj këtij vendimi.
“Masat e domosdoshme për mbrojtje nga Pandemia Covid 19 nuk duhet ta kufizojnë lirinë elementare të qarkullimit të lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët, Kosovën e kanë destinacionin parësor.
Vendimi i fundit i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta kushtëzuar hyrjen në territorin e RKS me dozën e tretë te vaksinës, apo me PCR test, po e vështirëson dukshëm lirinë e qarkullimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Praktikisht, shumë qytetarë e kanë të pamundur ta marrin dozën e tretë pa kaluar koha nga doza e dytë dhe po ashtu një pjesë e madhe nuk kanë mundësi financiare për t’u pajisur me PCR test për çdo udhëtim në Kosovë.
Prandaj, ftojmë Qeverinë ta rishikojë vendimin”, shkruan Kamberi.