Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Maqedonia bëhet për herë të parë me Kryeministër shqiptar

Shkruar nga Newsbomb
Maqedonia bëhet për herë të parë me Kryeministër

Nga janari 2024, Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar, fakt i cili tregon qartë për ndryshimet rrënjësore të vendit i cili kohë më parë ishte i përfshirë nga luftërat ndëretnike.

Kryeparlamentari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pritet të emërohet më 28 janar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh edhe kryeministri i parë shqiptar në 100 ditëshin e fundit të Qeverisë.

Ditën e sotme u mbajt mbledhja e kryesisë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, në të cilën u morën disa vendime. Një nga katër vendimet që u mor ishte që Kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga 28 janari të jetë Talat Xhaferi, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të Kuvendit në RMV.

Ky lajm është konfirmuar edhe nga vetë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili  në një deklaratë për mediat tha se BDI propozoi që Xhaferi të jetë kryeministër deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Bujar Osmani.

Talat Xhaferi me marrjen e këtij posti bëhet kështu kryeministri i tretë shqiptar në Ballkanin Perëndimor, pas kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Kush është Talat Xhaferi

Ai lindi më 15.04.1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.  Shkollimin fillor e kreu në Çegran, fshatin fqinj, ndërsa pas kësaj shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak. Pas kësaj vazhdoi karrierën e formësimit ushtarak, kështu që u regjistrua dhe studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë të APJ drejtimi këmbësori në Beograd dhe më pas Sarajevë. Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj.

Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.Më 28 prill të 2001,kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

Ai u rikthye si deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe në 2017 mori postin e Kryetarit të Parlamentit, duke u bërë kështu shqiptari i dytë në post pas Vullnet Starovës i cili ishte kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të federatës së Jugosllavisë nga viti 1986 – 1991.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese