Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Maqedoni e Veriut: Thellohen përplasjet në Aleancën për Shqiptarët

Shkruar nga Newsbomb
Maqedoni e Veriut: Thellohen përplasjet në Aleancën për

Mosmarrëveshjet brenda Aleancës për Shqiptarët (ASH) pritet të rezultojnë me ndryshime në postet ministrore të partisë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Krahu i ish-kryetarit të ASH-së, Ziadin Sela kërkon shkarkimin e Ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe të Ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu dhe zëvendësimin e tyre me Ilir Demirin, aktualisht drejtor i spitalit të Tetovës, dhe Naim Bajramin.

Ministrat aktualë, Mexhiti dhe Aliu i kanë shprehur mbështetjen kryetarit të ASH-së, Arben Taravari pas njoftimit të tij për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pranverës.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga krahu i zotit Sela në ASH, për këtë kanë vendosur 5 nga 7 anëtarët e Këshillit drejtues të partisë, sipas komunikatës.

Qeveria në Shkup vendosi në seancën e fundit largimin e drejtorëve të “Postës së Maqedonisë” dhe të Agjencisë për investimet e huaja, të cilët ishin rreshtuar pas zotit Taravari.

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari këto i cilëson si shantazhe, kërcënime dhe futje të frikës tek aktivistët e partisë për largimin e tyre nga vendet e punës, ndërkohë që siç shkruan në Facebook: “Kjo është e kotë. Ndryshimi ka nisur dhe asgjë nuk e kthen prapa”.

ASH-ja ka tre poste ministrore në qeveri. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga është shprehur në një vijë me ish-kreun e partisë dhe kryetar i Kuvendit të saj, Ziadin Sela kundër koalicionit me partitë Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike të cilat janë bashkuar në “Lëvizjen Evropiane për Ndryshim” në pritje të fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.

Zoti Taravari doli me vendimin e papritur për t’iu bashkuar opozitës shqiptare pa një bashkërendim me organet më të larta të partisë. Vendimi pasoi takimin e tij para një jave në Prishtinë të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e LEN-it, Bilall Kasami, Afrim Gashi dhe Izet Mexhiti. Këta të fundit thanë se i kishin ofruar Taravarit të kandidojë në garën presidenciale, por ai qe shprehur i painteresuar për këtë.

Aleanca për Shqiptarët u formua në vitin 2015 nga politikanë dhe aktivistë të pakënaqur me politikat e Partisë Demokratike Shqiptare kur drejtimin e saj e mori Menduh Thaçi pas vdekjes së Arben Xhaferit.

ASH-ja ka 8 deputetë në parlamentin e vendit. Edhe ata duken të përçarë pasi disa prej tyre nuk u paraqitën në seancën e së mërkures kur nevojitej kuorumi për fillimin e debatit mbi disa projekt-ligje.

Një pjesë e analistëve vlerësojnë se zhvillimet brenda partisë mund të jenë të dëmshme për vetë subjektin politik, e ardhmja e së cilës mund të mos jetë e sigurt./Marre nga VOA/

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese