Debati për mënyrën se si do të paraqiten kandidatët për deputetë në fletët e votimit është aktual, për sa kohë ende nuk është vendosur nga Kolegji Zgjedhor, nëse do të jenë me numra apo me emra.
Deputeti i Kuvendit, Ulsi Manja u shpreh sot në mbrëmje se është absurde të mendohet që PS nuk i do kandidatët në lista dhe do t’i prezantojë vetëm me numra.
Manja: Është absurde mendimi që PS nuk i do kandidatët në lista dhe do t’i prezantojë me numrave vetëm. Kosova ka një fletë votimi të thjeshtë me numra dhe zgjedhësit votojnë për kandidatët që duan. Sot KAS pranoi kërkesën e PS dhe do të vendoset se cila do të jetë fleta e votimin. Ne cila do qoftë fleta, nuk do të kundërshtojmë pasi do të vendoset.
Manja shtoi se përpos tërmetit dhe pandemisë, edhe djegia e mandateve e opozitës ishte një fatkeqësi tjetër, sikurse e quajti ai.
Manja: Në mandatin tonë të dytë ne patëm tërmetin dhe pandeminë, por na u shtua edhe një fatkeqësi njerëzore si opozita. Ata dogjën mandatet për 2 vite dhe lanë parlamentin. Po ashtu braktisën edhe garën e vitit 2019 dhe gjuajtën me gurë institucionet e shtetit. Pra, kishim 3 fatkeqësi, përpos atyre dy natyroreve.