Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu është takuar me Alain Berset, Zv/President i Zvicrës dhe Ministër i Çështjeve të Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Zvicrës.
Në fjalën e saj ministrja vlerësoi kontributin e qeverisë së Zvicrës për mbështetjen e qeverisë shqiptare gjatë periudhës së pandemisë, për kontributin për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, teksa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë ka qenë i shkëlqyer me qeverinë zviceriane, ndaj gjej rastin t’iu falenderoj sepse falë këtij bashkëpunimi, kemi ngritur modele shumë të mira të qendrave të kujdesit parësor, të cilat më pas i kemi replikuar në një program kombëtar të rehabilitimit të tyre. Jam e kënaqur që do të nisim fazën e dytë të këtij bashkëpunimi dhe jemi të gatshëm ta forcojmë bashkëpunimin tonë, drejt objektivit të mbulimit shëndetësor universal. Forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore është një tjetër cështje për ne e një rëndësie parësore, ku duam të fokusojmë bashkëpunimin me qeverinë zviceriane”, tha Manastirliu.
Ndërsa ministri zviceran shprehu mbështetje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.
“Pandemia tregoi se vetëm përmes solidaritetit mund të përballojmë situata të tilla, ndaj më vjen mirë për vlerësimin që keni për mbështetjen që Zvicra ka dhënë për Shqipërinë. Gëzohem që bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë ka qenë i suksesshëm dhe do ta vijojmë më tej këtë bashkëpunim dypalësh”, u shpreh Ministri Berset.