Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Ogerta Manastirliu inspektoi sot nga afër punimet në Spitalin e ri Pediatrik të Elbasanit. Ajo tha se brenda muajit Mars do të përfundojnë punimet, duke bërë që të kushtet e punës për mjekët dhe infermierët të arrijnë standardet bashkëkohore.
“Është një investim që do t’i vlejë qarkut të Elbasanit, do të ngrejë standardin e shërbimit, kushtet e punës për mjekët dhe infermierët arrijnë nivelet dhe standardet bashkëkohore. Duam që ta hapim në muajin mars këtë investim të ri”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi rëndësinë e investimit në shërbimin e laboratorëve, që po shtrihet në të gjithë spitalet rajonale dhe dy spitale bashkiake.
“Nga rreth 50 analiza që bëheshin në këtë spital, si në çdo spital rajonal, sot bëhen mbi 160 lloje analizash dhe janë ekzaminime laboratorike me standarde që po i garantojmë për të gjithë spitalet rajonale, universitare dhe dy spitalet bashkiake, që është spitali i Lushnjes dhe ai i Sarandës”, u shpreh ministrja.