Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka qenë dje në spitalin "Shefqet Ndroqi" bashkë me kryeministrin Edi Rama, në atë që e quan një nga centralet moderne të sterilizimit, për të parë nga afër sigurinë e pajisjeve.
Manastirliu ka ndarë pamjet direkte të vizitës dhe i ka shoqëruar ato me një tekst rreth dy paragraf. Në pjesën e parë ministrja shkruan me superlativa për koncesionin e sterilizimit, ndërsa i dyti i dedikohet tërësisht hetimeve të SPAK.
"Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët", shkruhej në postimin e orës 11.55 të mesditës.
Vetëm 90 minuta më pas, në orën 13.25, ky paragraf është "zhdukur" nga postimi i Ogerta Manastirliut. Pavarësisht se ministrja ka dashur të humbë gjurmët, Facebook ruan dhe historinë e ndryshimeve të një postimi dhe siç shihet dhe nga fotografitë, rrjeti social tregon pjesën që është fshirë.
[gallery link="none" columns="1" size="full" td_select_gallery_slide="slide" ids="731488,731489"]
Nuk dihet se cilat kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë Ogerta Manastirliun të shkruante për ndëshkimin e personave që "ia kishin bërë me hile shtetit" dhe më pas të ndërronte mendje.
Në fakt, personat e arrestuar nga Prokuroria e Posaçme janë pothuajse të gjithë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të diskasterit që ajo drejton, duke nisur nga ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Shëndetësisë.
I vetmi person nga të arrestuarit që nuk ka pasur marrëdhënie varësie me institucionin e drejtuar nga Manastirliu, është biznesmeni që ka fituar tenderin e sterilizimit, vlonjati Ilir Rrapaj. Ky i fundit akuzohet se ka mashtruar shtetin dhe përmes ndikimit të paligjshëm, ka marrë tenderin në kohën që kjo ministri drejtohej nga Ilir Beqaj.