Nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Shëndetësisë, e thirrur në interpelancë, ka folur për ecurinë e deritanishme të Kontrollit Mjekësor Bazë si dhe ka hedhur poshtë akuzat kundër tij. “Të dhënat po na shërbejnë për hartimin e politikave më të mira shëndetësore”.
“Para vënies në zbatim të këtij programi Ministria e Shëndetësisë gjendej në një situatë, me mungesë totale informacioni, pa të dhëna epidemiologjike, që janë themeli për hartimin e politikave efikase të shëndetit”, tha Ministrja Manastirliu në Kuvend.
“Nëpërmjet programit të kontrollit mjekësor bazë, ne sot i shërbejmë 1,2 milion shqiptarëve. Janë investuar nga partneriteti 944 milion lekë, që nga investimet në pajisje laboratorike, pajisje mjekësore, programe software, automjete, e deri tek hapja e 380 kabineteve të kontrollit mjekësor bazë në çdo qendër shëndetësore. Kemi siguruar madje, edhe kabinetet e lëvizshme për zonat e thella të vendit”, tha Manastirliu.
Sipas saj, deri tani, 891, 047 qytetarë kanë kryer 1 ose 2 herë, kontroll mjekësor pa pagesë.
Ministrja deklaroi se shtimi i numrit të personave që po e marrin këtë shërbim, është dëshmi e një rritje të besimit tek programi i kontrollit parandalues, pavarësisht kritikave, sulmeve, baltës që është hedhur ndaj këtij programi, me akuza shpesh në kufijtë e irracionales.
Ndërkohë që pjesëmarrja në Kontrollin Mjekësor bazë ka mbërritur në shifrën 68%, Manastirliu tha se “ende nuk jemi aty ku duhet, sepse i qëndrojmë objektivit për arritjen e targetit bazë, prej 475 mijë kontrollesh mjekësore çdo vit.
Nga foltorja e Parlamentit, Ministrja ka hedhur poshtë edhe akuzat e bëra për shtim të numrit të kontrolleve, me qëllim shtim të pagesave për konçesionarin. “Kjo është e pavërtetë, madje dua të siguroj qytetarët se edhe se të gjitha kontrollet e pakryera, të cilat nuk janë realizuar deri më sot, do të mund të kryhen në vitet në vazhdim pa asnjë kosto shtesë!”.
Sipas saj, përmes këtij programi kombëtar, tashmë ne kemi evidenca të mjaftueshme për sëmundjet jo të transmetueshme, që përbëjnë 89% të shkaqeve të vdekjeve në Shqipëri.
Në fjalën e saj në Kuvend, Manastirliu ka sjellë dhe shembuj të shteteve që u ofrojnë qytetarëve kontroll mjekësor bazë çdo vit, si Austria, Gjermania, Franca, por edhe institucioneve ndërkombëtare, si BE apo Këshilli i Evropës, të cilët e kanë të detyrushëm kontrollin e përvitshëm për punonjësit.
“Sigurisht që për kulturën e kujdesit parandalues, ne jemi ende larg tyre”, tha Manastirliu. “Ndaj kemi vendosur ta forcojmë atë, duke filluar nga punonjësit e administratës, të cilët do t’i nxisim ta shfrytëzojnë këtë mundësi, në funksion të kujdesit për shëndetin e tyre dhe parandalimit të sëmundjeve”.
Në fund, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u ka bërë thirrje të gjithë kritikëve, që të shkojnë bashkë në terren për të parë nga afër punën që po bëhet me këtë program mbarëkombëtar. “Vini gishtin në hartë, në cilëndo pikë ku ofrohet ky kontroll, dhe ejani të shihni me sytë tuaj standartet me të cilat ofrohet ky shërbim”, tha Manastirliu.