Vaksina kundër human papilonavirusit do të përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit, falas, për të gjitha vajzat në moshën e paraadoleshencës. Lajmi e ka dhënë ministrja Ogerta Manastirliu.
“Në Javën Botërore të Imunizimit ne kemi një lajm të mirë për të dhënë. Kemi vendosur që në vijim edhe të rekomandimit të Komitetit të Vaksinimit, të përfshijmë në kalendarin tonë kombëtar të vaksinimit dhe një vaksinë të re, vaksinën kundër human papilomavirusit. Një vaksinë e cila tashmë është në të gjithë kalendaret europiane të vaksinimit, e cila realizohet si vaksinë në moshën paraadoleshente te vajzat.
Përfshirja e kësaj vaksine, duke filluar nga viti i ardhshëm, nga viti 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, do të rrisë mbrojtjen për vajzat sot, gratë nesër, në mënyrë që të shmangim një kancer i cili është shumë i rrezikshëm, kancerin e qafës së mitrës”, tha Manastirliu.
Gjatë një inspektimi në qendrën shëndetësore nr.2 në kryeqytet, ministrja e Shëndetësisë tha se kjo është një prej vaksinave jetëshpëtuese, ka një efektivitet shumë të lartë dhe ul kostot financiare të familjeve.
“Përfshirja e vaksinës HPV tek vajzat do të na japë një garanci rreth 99 % që do të kemi një reduktim të riskut ndaj kancerit të qafës së mitrës. Studimet kanë treguar që edhe efektiviteti vetëm me një dozë e vaksinës kundër human papilomavirusit redukton deri në 89% rrezikshmërinë ndaj kancerit të qafës së mitrës. Sot ka familje që e blejnë këtë vaksinë, nga 2023 ky do të jetë një investim i qeverisë shqiptare, i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbrojtjen dhe shëndetin e vajzave dhe grave në Shqipëri”, tha Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Epidemilogjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, e ka konsideruar këtë një investim në shëndet, duke theksuar se kjo vaksinë është e sigurt.
“Ky është një vendim i jashtëzakonshëm dhe një lajm shumë i bukur për të gjithë nënat dhe vajzat, por edhe për ekseprtët e shëndetësisë pasi kurorëzon një përpjekje prej kaq vitesh në lidhje me përgatitjen për futjen e kësaj vaksine me kapacitetet laboratorike, me infrastrukturën, studimet dhe investimet që aktualisht janë bërë për zinxhirin e ftohtë në kuadër të covid19, të cilët na bëjnë të aftë që edhe këtë vaksinë ta ruajmë në kushtet e duhura.
Eshtë vaksinë tepër e rëndësishme, e cila parandalon infektimin nga ky virus. Duke kryer këtë vaksinë vajzat të cilat janë të vaksinuara nuk mund të infektohen me ato viruse që janë shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës. Eshtë një vaksinë e sigurt për të cilën janë kryer një sërë studimesh dhe vlerësimesh, e aplikuar në të gjitha vendet e BE dhe shumë vende të tjera të globit”, tha Bino.
Duke folur për vaksinimin antiCOVID, Manastirliu u shpreh: “Prej një viti e pak tashmë jemi në një fushatë intensive të vaksinimit ndaj COVID19. Shqipëria është një nga vendet që po ecën me ritëm për përthithjen e vaksinave, kemi 89% të vaksinave që kanë mbërritur deri tani, presim edhe 1 milion vaksina nga Pfizer. Doza e katërt apo doza e dytë përforcuese është përfshirë edhe në planin tonë kombëtar të vaksinimit, ajo çfarë do të bëjmë është adaptimi i planit kombëtar të vaksinimit, në mënyrë që kësaj sfide ti përqasemi me mekanizma dhe instrumeta të rinj”.
Kalendari i vaksinimit për fëmijët është përforcuar gjatë viteve të fundit. Vaksina ndaj infeksioneve nga rotavirusi, e cila është futur në kalendarin e vaksinimit në 1 Tetor 2019 është kryer në masën 98% të fëmijëve në vitin e parë të jetës dhe është një vaksinë me dobi të jashtëzakonshme në uljen e hospitalizimeve nga infeksionet e shkaktuara nga rotavirusi.
Ndërkohë, pas përfshirjes së testit HPV falas në qendrat shëndetësore, programi i vaksinimit do të zgjerohet me vaksinën e 14 në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit, atë të HPV, që aplikohet tek vajzat në moshën e para-adoleshencës dhe është jetëshpëtuese pasi parandalon kancerin e qafës së mitrës.