Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka debatuar ashpër në Kuvend me ish-kryeministrin Sali Berisha, pas akuzave të këtij të fundit për gjendjen e spitaleve në vend dhe numrin e viktimave nga pandemia e covid.
“Duhet të kishe shkuar tek Dumanët, atje ku e ke vendin. Ke bërë tendera sekretë në kulmin e pandemisë. Mos më ndërhy të lutem shumë. Mund të të kthehem mjaft mirë unë se fjalorin e kam. Unë kam respekt për njeriun por nuk mund të respektoj unë kur shoh ministre me çantë me zafire dhe diamante. Unë respektoj ministre që shërbejnë, përulem para tyre. Nuk mund të respektoj ministre që kapardisen si modele”, tha Berisha.
Menjëherë pas fjalës së Berishës, për replikë ka folur Manastirliu. "Po mbytesh në burgun e hipokrizisë tënde", i tha ajo ish-kryeministrit, duke e akuzuar se në 8 vite qeveria e tij nuk bëri asnjë investim në shëndetësi, por sipas saj, i ktheu spitalet në kioska ku shiteshin pizhame.
"Po mbytesh në burgun e hipokrizisë tënde. Kur flet ti për shëmtinë, në 8 vite nuk bëre një qendër shëndetësore. Nuk bleve një ambulancë. I bëre spitalet kioska ku shiteshin pizhama. U vure kolegëve të tu çimka për të kuptuar ata që nuk kuptoje dot, se nga do të vinte e keqja.
Vetëm ty mund të ngazëllejë vdekja, ke për t'u përgjigjur për ato që je me damkë, me damkën e non-gratës. Prandaj jemi duke punuar, se po të kishe bërë ndonjë gjë zotërore, po bëjmë dhe ato që nuk bëre ti. Ty vdekja nuk të bën përshtypje, sikur nuk të kanë bërë përshtypje vdekjet e të pafajshmëve në Gërdec.
Ti je një hipokrit. Nuk mund të flasësh këtu për shëndetësinë. Ajo që të vret ty Sali janë faktet. Është e vërteta. Edhe për fatalitetet që kanë ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por ne e kemi përballuar me dinjitet dhe me mbështetjen e gjithë stafeve mjekësore.
"Të njeh gjithë bota, ndaj të kanë quajtur non-grata", tha në Kuvend ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në përgjigje të akuzave të Sali Berishës.