Vëllai i 30-vjeçares, Liridona Ademaj, ka folur për mediat në Kosovë lidhur me ngjarjen e rëndë, ku motra e tij u vra pabesisht nga bashkëshorti, përmes një grabitje të inskenuar.
Leonard Ademaj, ka ndarë detaje mbi bisedën që ka pasur me nipin e tij, i cili ishte i pranishëm në momentin kur i vranë të ëmën.
“Atë ditë ka ndodhë krejt ngjarja, krejt rasti. Djali e kish pas shtrëngu dorën shumë. Kur jom shku në Polici mu ka afru, më ka përqaf edhe tha dajë tha hajni m’i ka lyp paret, po unë s’ia kom jep. E ka çelë dorën, i kish pasë paret aty. Qe tha dajë paret, se s’ia kom jep hajnit”, tha Leonard Ademaj.
Më herët foli për mediat foli edhe babai i Liridonës, Hajdar Ademaj, i cili me zërin që i dridhej tha se vajza e tij nuk i ishte ankuar kurrë për madhënien që kishte me bashkëshortin. Ai tha se te e vetmja gjë që dyshojnë se Naimi mund të ketë porositur vrasjen e Liridonës mund të jetë sigurim jete, që e ndjera kishte paguajtur në Suedi. Kompania që Liridona kishte siguruar jetën, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë eurove.
Kujtojmë që Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.
Dje, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbardhur ngjarjen, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit. Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutori.
Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.
Edhe vetë bashkëshorti i viktimës, ka pranuar në Policinë e Kosovës se ka porositur vrasjen e gruas.
Dyshime për rastin u ngritën menjëherë pas dëshmisë që kanë dhënë familjarët e viktimës dhe vetë Naim Murseli, në media dhe para hetuesve. Ai ndodhej në makinë bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët, por çuditërisht grabitësit e armatosur u përleshën vetëm me gruan dhe jo me kryefamiljarin.