
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar një dokument KRRT që mban firmën e Edi Ramës në kohën kur ky i fundit ishte kryebashkiak i Tiranës. Firma lidhet, siç thotë Malltezi, me vendimin për ndryshimin e destinacionit të pronave të ish-kompleksit Partizani.
"Mashtruesit e SPAK bëhen qesharakë pasi fshehin ndërrimin e destinacionit të firmosur nga Ed Rama në 2008! Ndërrim nga zonë sportive në zonë banimi me parametra të lartë urbane firmosur nga Edi Rama me drejtorët e tij.
Këtë dokument Spak edhe e fsheh edhe fallsifikon ku firmën e Ramës ia vesh Berishës. Ja tek dalin si letër higjenike e Edi Ramës", shkruan Jamarbër Malltezi, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Biznesmeni Jamarbër Malltezi ndodhet në "Arrest në shtëpi" për të njëjtën dosje për të cilën po hetohet dhe vjehrri i tij. Mesa duket, në pamundësi për të shkuar në protestë, ai po ndjek punimet e drejtpërdrejta të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve.
Në këtë organ pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, po diskutohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për lejimin e arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Aty ka pasur një debat me prokurorëve që përfaqësojnë SPAK dhe avokatëve të Berishës, për destinacionin e pronës për të cilën akuzohen Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi.
Lexo edhe: Prokurori Kraja kërkon lejimin e arrestimit të Sali Berishës: Rrezikon 4-12 vite burg