Tre persona kanë humbur jetën nga aksidenti tragjik që u shënua ditën e sotme në Elbasan, ku makina përfundoi në Lumin Shkumbin.
Makina fillimisht u përplas me një mjet tjetër tip “Ford” dhe më pas përfundoi në lumin Shkumbin, ku për disa orë vijoi puna për të nxjerrë personat që ishin në makinë.
Në mjetin që përfundoi në lum ishin 5 persona, ku tre prej tyre fatkeqësisht humbën jetën. Bëhet me dije se kanë humbur jetën çifti i bashkëshortëve Elmi Keqa 53 vjeç, Elona Keqa 35 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur Ambra Halili 20 vjeç, Elisiado Keqa 10 vjeç.
Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe është dërguar në spitalin e Traumës për të marrë një ndihmë të specializuar mjekësore.
Familja nga Kukësi ishin nisur drejt Korçës për të festuar ditëlindjen, por që për disa ishte fatkeqësisht ishte udhëtimi i fundit. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit që i mori jetën tragjikisht tre personave.
“Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin.
Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit” njofton policia.