Tre persona humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi ditën e sotme në Elbasan, ku makina përfundoi në Lumin Shkumbin.
Një prej dëshmitarëve ka thënë për mediat se nxjerrja e trupave ishte shumë e vështirë për shkak të terrenit mjaft të thyer, si dhe rrjedhës së lumit, e cila ka qenë e furishme për shkak të reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë natës.
Ai tha se jashtë makinës ndodhej vetëm një djalë i ri i plagosur, ndërsa personat e tjerë ndodheshin brenda makinës.
“Vetëm ai djali i ri ishte jashtë, të tjerët ndodheshin brenda në makinë. 3 persona, duheshin shkallë të gjata për t’i nxjerrë, mezi i nxorrëm lart, djalin sidomos se gruaja vdiq aty.
Djalin e vogël pashë më shumë, të tjerët ishin aty derisa erdhi policia. Ky vendi është i frikshëm, se është e treta herë që ndodh e nuk janë marrë masa”, tha ai.
Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm ku mjeti me të cilën udhëtonin 5 persona u përplas me një mjet tjetër tip “Ford” dhe më pas përfundoi në lumin Shkumbin, ku për disa orë vijoi puna për të nxjerrë personat që ishin në makinë.
Në mjetin që përfundoi në lum ishin 5 persona, ku tre prej tyre fatkeqësisht humbën jetën. Bëhet me dije se kanë humbur jetën çifti i bashkëshortëve Elmi Keqa 53 vjeç, Elona Keqa 35 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur Ambra Halili 20 vjeç dhe Elisiado Keqa 10 vjeç
Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe është dërguar në spitalin e Traumës për të marrë një ndihmë të specializuar mjekësore.