Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, reagon për kapjen e një sasie droge dje në Pikën Kufitare të Vërmicës, shkruan newsbomb.al. Makina me drejtues një 40 vjeçar kosovar, po kalonte nga Shqipëria drejt Kosovës.
“Mbrëmë në pikën kufitare në Vërmicë janë konfiskuar 30 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka arrestuar personin nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”.
Ashtu siç jemi zotuar, lufta kundër trafikimit të të gjitha llojeve do të vazhdojë me intensitet edhe më të shtuar. Kosova do të jetë zonë e ndaluar e trafiqeve ilegale”, shkruan ministri i Kosovës Xhelal Sveçla.
Shtetasi kosovar me inicialet F.M., 40-vjeç, u kap dje ndërsa vinte nga Shqipëria me një automjet “Fiat Croma”. Automjeti u fut për kontroll në vijën e dytë, me dyshimin e trafikimit të substancave narkotike, nga ku u zbuluan pakot me 30 kg hashash në total.