Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al
“Ky vend, nuk pjell burra shteti!”
Ky konstatim i gjithëhershëm, pesimist gati fatalist, është kthyer në slogan kombëtar për pamundësinë e shtetformimit!
Mua më duket komplet i pavend!
Ne e kemi burrin e shtetit, thjesht nuk po e përdorim aq sa duhet!
Ne kemi zotin Majko!
Ne duhet të ngrihemi të tërë, pa dallime partiake, të heqim nga karriget e rënda të shtetit këta që i kanë zënë pa kurrfarë merite dhe të vendosim aty zotin Majko!
Amerikanët na e kanë dhënë ta kuptojmë me kohë, që në vitin 1999, kur e bënë Kryeministër të Shqipërisë në moshën e trazuar 31 vjeçare, në kohën kur gjysma e kombit luftonte me serbin dhe gjysma tjetër luftonte me veten!
Kush i fitoi këto dy luftëra?
Pandeli Majko!
Çfarë bëri ky popull në shenjë mirënjohje?
Ky popull mosmirënjohës kërkon akoma llogari për taksën Majko!
Ky popull, që nuk e ka idenë se çfarë ndodh në Trekëndëshin e Bermudeve!
Pavarësisht të gjithave, ky burrë shteti i përmasave universale, ka ditur të ruajë qetësinë atëherë kur duhet dhe të nxehet kur kombi ka nevojë për një zë të nxehtë!
A nuk ka qenë zoti Majko kritiku më i fortë i liderve të partisë së tij? I vetmi në PS që nuk e bënte në brekë kur kritikonte Mejdanin, Metën, Nanon dhe sot Ramën! Kjo nuk është pak!
Falë qëndrimit parimor të këtij burri shteti, PS-ja e ka mbajtur timonin drejt dhe nuk e ka lejuar Rilindjen ti nxijë faqen partisë dhe vendit!
Ky është burri më vizionar i kombit!
Lozëm dhe qeshëm ne, kur ky burrë shpallin tenderin për lojëra “mos u nxeh”!
A e mendoni si do të kishin kaluar orët e emigrantëve në rradhën e doganës, nëse do të kishin pasur një lodër të tillë antistres?!
Ju mendoni se funksioni shtetëror i këtij burri është propaganda dhe kanalizimi i votës së emigrantëve për Partinë Socialiste?! Gaboheni!
Ky burrë është për shqiptarët si Moisiu për hebrenjtë e tij!
Ai ka lindur për të zgjidhur kriza biblike që shtetet nuk i zgjidhin dot!
Si mund të mendoni ju që një shtet kartoni si ky yni dhe një shtet “zumpara” si shteti grek do të bisedonin për të zgjidhur Krizën e Kakavijës?!
Në situata të tilla zoti Majko thërret në kauzë veteveten!
I bindur se rradhën në doganë nuk e krijoi “robi” por “Zoti”, ai gjeti çelësin për ta bindur Hyun t’u hapë rrugën fatkeqëve! Ka mjaftuar një telefonatë me kryepiskopin dhe një kërkesë që ky i fundit ta fusë këtë problem në lutjet e tij të pasgjumit të drekës dhe ja ku problemi u zgjidh!
Shqiptarët u larguan me sukses nga vendi i Majkos për në vendin e Janullatosit!
Po ua them unë, Majko nuk do vetë, sepse po të dojë ai na mundëson largimin e shpejtë dhe të qetë të të gjithëve neve, nga ky vend problematik! Në këtë pikë, le të mbetemi shpresëplotë! Një ditë dy vend do ta kuptojë se burrin që na duhet, e kemi mes tonë!
Majko, for president!