Hapësire reklamuese

OpEd

Magjepsje dhe frikë

Shkruar nga Newsbomb
Magjepsje dhe frikë

Nga Dom Gjergj Meta

Universi, në një natë me qiell të pastër dhe një det i qetë i paskaj, sa më magjepsin, aq edhe më frikësojnë.

Ndërsa pohoj këtë gjë, më vijnë ndërmend leksionet rreth fascinosum et tremendum lidhur me Qenien apo Zotin, në lëndën e Metafizikës. Për shembull, kundrimi i një qielli plot me yje apo pamjet nga teleskopët gjigandë të NASA-s, shkaktojnë brenda meje këtë përzierje ndjesish magjepsjeje dhe frike.

Nuk e di për ç'arsye konkrete, por ndjenja ime religjioze ka nisur disi e lidhur me vdekjen dhe me pafundësinë e gjithësisë apo thënë më mirë, me mbijetesën e saj ndaj vdekjes sime. Ndieja gati-gati një lloj xhelozie që gjithësia do t'i mbijetonte vdekjes sime.

Hera e parë që jam përballur me infinitin, ka qenë në orën e Matematikës. Aty e kam mësuar edhe simbolin e tij “”. Në vitin 1994, kam qenë i shtruar në një prej spitaleve të Barit. Një mjek, i cili punonte atje, më pati thënë se çdo sëmundje, qoftë e lehtë, qoftë e rëndë, ka një pafundësi mundësish, pasi ndërmjet 0-s dhe 1-shit gjenden një infinit numrash dhe po ashtu nga 0-ja fillon një infinit numrash.

Nuk e di nëse ky infinit është real apo ka të bëjë me pamundësinë e njeriut për të imagjinuar a vërtetuar më përtej, por mua më bëhet gjithnjë e më i vështirë imagjinimi i infinitit. Aq i vështirë sa është njëherazi magjepsës dhe i frikshëm.

Cila mbizotëron mbi tjetrën? Nëse mbizotëron magjepsja, lind guximi deri në marri. Kështu pyesja veten dhe përballë një deti të qetë (edhe deti e jep këtë efekt pafundësie). Kur isha adoleshent, nganjëherë shkoja e zhytesha në det qysh në orën 6 të mëngjesit dhe notoja me epsh a thua se doja t'i dilja në fund e ta zotëroja infinitin që më shfaqej para syve. Lodhja e gjymtyrëve, të cilat përplaseshin me ujin duke e çarë drejt thellësisë, shenjonte edhe trajtat e para të frikës. Magjepsja më thoshte: “Vazhdo edhe pak!”, kurse frika më pëshpëriste ngadalë: “Ndalu e kthehu!” Derisa një ditë u deshën krahët e fuqishëm të një shokut tim më të madh, që të më shpëtonin nga mbytja. Aty njoha limitin dhe në ditët në vazhdim nuk shkoja më tej tij.

E megjithatë, limiti nuk e kishte fshirë as magjepsjen, as frikën. Por ai u bë një udhërrëfyes i mirë në shtigjet e infinitit, një lloj Virgjili në botën e Hadës, madje edhe në ëndrra, të cilat për vetë natyrën e tyre nuk kanë një nisje e as një mbarim ose të paktën ne nuk i kujtojmë ata.

Kur në kapërcyell të shekullit XIX, Freud-i zbuloi pandërgjegjen, element i së cilës janë edhe ëndrrat, njeriu preku një univers tjetër, magjepsës dhe të frikshëm njëherësh, të cilin, vetë zbuluesi i tij, e krahasonte me një ajsberg të ndarë në tri pjesë: Ego, Superego dhe Idi. Në ato vite, anija “Titanic”, simboli i një krenarie gati të pathyeshme detare, u fundos në oqean nga përplasja me një ajsberg.

Ai ajsberg u bë limiti i krenarisë njerëzore, racionale, shkencore dhe shpikëse. Këto të fundit u mbytën nga një ajsberg, sikurse strategu i madh, Pirro, nga një vazo me lule.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese