Hapësire reklamuese

Politikë

“Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut”, Spiropali i kthehet Bashës

Shkruar nga Newsbomb
“Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut”,

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili akuzoi McGonigal se është i përfshirë edhe në afërën e Inceneratorëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se Basha s’ka asnjë lidhje me realitetin, teksa më tej i ka kujtuar këtij të fundit dhe çështjen e lobimit rus.

Jo Lulëzim jo, asnjë lidhje s’kanë si zakonisht me realitetin ato që thua nga maja e krevatit në realitetin paralel ku ti vegjeton! Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse!

S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi”, shkruan Spiropali ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë!

Por halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngja! Kështu, teksa Saliu u mbajt fort të mos binte nga ballkoni, kur “regjimi monist” i Tiranës në vend të bombës imagjinare mikpriti vetë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Lulëzimi u ngrit nga krevati për të thënë se gjykata amerikane e paskësh dënuar sipas tij Mc Gonigalin, duke e fajësuar se ka dashur të nxijë për llogari të Edi Ramës faqen e bardhë të bukuranit Lul!

Jo Lulëzim jo, asnjë lidhje s’kanë si zakonisht me realitetin ato që thua nga maja e krevatit në realitetin paralel ku ti vegjeton! Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse!

S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi.

Prandaj kthehu në anën tjetër e vazhdo fli dhe rrofsh që kur zgjohesh na bën për të qeshur, edhe pse demokratët i bën për të qarë kur u kujton se sa gjatë i mbajte peng në realitetin tënd paralel.

Basha tha se McGonigal është i përfshirë edhe në aferën e inceneratorëve dhe se javën tjetër do të bëjë një kallëzim në SPAK lidhur me këtë. Ai shtoi se në ditët në vijim do të paraqesin në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve.

Afera e inceneratorëve është një skandal që shkon mbi 110 milionë euro, para të dhëna nga taksapaguesit shqiptarë dhe nga qeveria shqiptare për 6 vite për një incenerator që nuk ekziston. Janë paguar mbi 110 milionë euro nga taksat e shqiptarëve të varfër, nga biznesi, i cili këto kosto i faturon te qytetarët dhe nuk ka incenerator. Ne këtë  skemë  mashtrimi  është përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës.

“Pas një investigimi bazuar në fakte dhe prova është zbuluar edhe një e vërtetë tjetër kriminale. Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve.

Me emër e mbiemër të gjitha do ti depozitojmë ne SPAK krahas kallëzimit të paralajmëruar tashmë për përfshirjen personalisht të Edi Ramës në aferën e inceneratorëve siç e ka rrëfyer numri 2 i tij, Arben Ahmetaj.  Dje drejtësia amerikane foli, McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë.

Dikush shpreson qe ky të jetë kapaku i kësaj historie rrëqethëse korrupsioni dhe kompromentimi të niveleve më të larta. Jam sot për ti thënë, mos gënje veten. Ky është vetëm fillimi i zbulimit të zinxhirit të aferave të tmerrshme korruptive. Sado kohë të marrë, 8 ditë, tetë javë, tetë muaj apo tetë vjet, e vërteta do zbardhet dhe përgjegjësisë nuk do ti shpëtojë dot askush“, tha Lulzim Basha.

Charles McGonigal u dënua dje  me 28 muaj burg për “shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptari-amerikan Agron Nezaj, si dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë.

Gjykata federale e Washingtonit e dënoi  ish zyrtarin e lartë të FBI-së, i cili akuzohet se nuk kishte deklaruar marrjen e parave. Gjithashtu prokurorët në SHBA-të, kanë arritur të provojnë se ai kishte avancuar interesat e biznesit të Nezajt duke gënjyer FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhej në dokumentin e vendimit, raporton “WashingtonPost“.

Lexo edhe: Mori 225 mijë dollarë nga Shqipëria, Gjykata dënon me 28 muaj burg Charles McGonigal

Kujtojmë që në muajin shtator, McGonigal pranoi të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë. Avokatët e tij dhe prokurorët bënë një marrëveshje në bazë të parimit të pranimit të fajësisë. Ata pranuan fshehjen e provave materiale, e cila ishte e shkruar në aktakuzë e në këtë mënyrë, prokurorët hoqën dorën nga 8 pikat e tjera, sikurse legjislacioni amerikan e parashikon.

Si një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së që është akuzuar ndonjëherë për një krim, McGonigal udhëhoqi hetime të mëdha të inteligjencës, duke përfshirë publikimin e kabllogrameve të klasifikuara të Departamentit të Shtetit në vitin 2010 në WikiLeaks dhe kërkimin e një spiuni të dyshuar për Kinën brenda CIA-s.

Ai kishte akses në një sasi të jashtëzakonshme informacioni të ndjeshëm, duke përfshirë hetimet e spiunëve të huaj ose shtetasve amerikanë të dyshuar se punonin në emër të qeverive të huaja, dhe të huajve që FBI dhe CIA po rekrutonin për të spiunuar për Shtetet e Bashkuara.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese