Tirana
clear sky
1.5 ° C
1.5 °
1.5 °
80 %
1kmh
0 %
Mar
12 °
Mër
13 °
Enj
13 °
Pre
14 °
Sht
9 °
E hënë, 28 Nëntor, 2022

Luftoi fort për jetën por ndodh mrekullia, Uran Kostreci del për kafe gjithë shëndet

spot_img

Lajme të ngjashëm

Uran Kostreci ka lënë spitalin pas një beteje vërtet serioze për jetën. Një nga ato raste ku beson se zoti është vërtet i madh dhe mund të bëjë mrekulli sa hap e mbyll sytë.

Është studiuesi Erald Kapri ai që ka publikuar një foto me të, vetëm një ditë pasi i uronte shërim të shpejtë dhe shprehte dëshirën për një kafe tjetër me ‘disidentin’.

“Shpreha një dëshirë në shkrim, një kafe. Ma plotësoi direkt. Optimist i pandreqshëm”, shkruan Kapri.

Artikulli ‘Kafe me një disident’ shkruar një ditë më parë nga Erald Kapri dhe publikuar në gazetën Mapo.

Të shkruash për një mik është e vështirë. Të shkruash për Uran Kostrecin është akoma më e vështirë. Poeti 82-vjeçar kaloi disa ditë të vështira i shtruar në spital dhe falë Zotit po bëhet më mirë!

Takimi i parë me Uranin erdhi rastësisht kur u ndodhëm në një promovim libri. I veshur me kostum, një jelek që mbërrinte tegryka, e kapele republike të dukej sikur takoje një prej atyre mendimtarëve të viteve ‘30-40.

Ai gjendet shpesh në një nga kafenetë e qeta të Tiranës, ku kamerierët e presin me kafen gati dhe tavolinën e rezervuar. Ftesat e tij për kafe janë një rast që nuk mund të humben lehtë.

Urani është një ndër të rrallët e mbetur mes nesh nga “mandelate Shqipërisë”. Bëri më shumë se 23 vite burg, kryesisht në Burrel, i arrestuar sapo kaloi të 20-at kur priste të niste punë si mësues. U arrestua për shkak të një poezie. Ai u ridënua sepse nuk bëri kompromis me idealin antikomunist. Qëndresa në burg respektohej edhe nga persekutorët më të dalluar.

Poeti i sonetave nuk arriti dot të mbarojë universitetin, përveç Normales së Elbasanit. Por jeta në burg e lidhi pranë me disa prej mendjeve më të zgjuara të kohës që ngrysnin ditët bashkë. Kultura e Uranit kalon atë të një pedagogu letërsie apo historie ku shpesh të përshkruan pasazhe të njohura me një anglishte mjaft korrekte. Ndoshta është i vetmi gjallë sot që mund të përshkruajë me detaje jetën në “Universitetin e Burrelit”, burgun famëkeq ku mbyllën ditët kundërshtarët e regjimit komunist. Reciton në italisht Dante Aligerin falë mësimeve në burg nga Engjëll Çoba apo debaton mbi filozofinë falë leximeve me KoçoTasin a Don Nikollë Mazrekun.

Urani, pas të 50-ve, pasi mbaroi burgimin, nisi një jetë të re. Nuk arriti dot të krijojë familje por asnjëherë nuk jetoi vetëm. Është ndër të paktët që ka vizituar pjesën më të madhe të shkollave të vendit për arsye se është bërë pjesë e një bashkëbisedimi me të rinjtë për të kaluarën e diktaturës. Udhëtimet dhe leximet janë hobi dhe pasionet e tij nuk kanë ndaluar asnjë ditë. Krahas kostumit, një çantë krahu shoqëron Uranin, e tejmbushur me dorëshkrime dhe me librat e fundit që dalin në bibliotekat e Tiranës.

Filozofia e Uranit është ajo e një shpirti fisnik. Ai nuk urren askënd. Madje as persekutorët e tij. Tek rrëfente një takim me njërin prej tyre, iu shpreh se e mëshironte dhe uronte që një ditë ai të kuptonte se çfarë dramash kishte shkaktuar.

Jeta në liri i dha mundësinë të botojë lirshëm sonetat e tij, mes tyre “Epopenë e karkalecave”, mijëra vargje që i mësoi përmendësh në burg. Faqja e tij e Facebook-ut përditësohet shpesh me krijime të reja që u kushtohen kryesisht personazheve historike dhe fenomeneve shqetësuese të së sotmes.

Mirësjellja e Uranit nuk u përket ditëve të sotme. Një humor që nuk gjendet lehtë në kryeqytet. Kur e pyet si je, Urani të përgjigjet: Kam hallin tuaj se unë jam mirë!

Një prej historive që shkulesh gazit, nga ato të burgut, është mbi një minoritar të shkretë që ishte dënuar për bashkëpunim me CIA-n. Sigurimi e kishte arrestuar se bariu kulloste bagëtinë afër kufirit dhe dyshonin se ai ishte rekrutuar nga perëndimorët. E për çfarë duhet të rekrutonin një bari xhanëm?! E nejse, në hetuesi sigurimsat i përsërisnin se ai ishte takuar me CIA-n. Bariu minoritar, tek dëgjonte CIA-n, mendoi se po flisnin për hallën e tij, se greqisht tingëllonte si “Thia!”

“Po – iu përgjigj i ziu- e kam takuar”. Sigurimi insistonte dhe ai vazhdonte. “–Thias i vajta në shtëpi, më priti mirë”.  E kështu, bariu u dënua ca vite për veprimtari armiqësore.

Modestia nuk ka lejuar që jeta e tij të ketë vëmendje të shtuar por ai është ndër të paktët disidentë shqiptarë. Çdokush që e ka njohur të jep të drejtë për këtë. Tirana dhe ne miqtë e tij mezi presim të shihemi sërish me Uranin, atje te kafja e tij, për të marrë sadopak nga optimizmi i tij i pashtershëm. Të presim Uran! Shërim të shpejtë!

Më shumë




spot_img








spot_img