Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike mbrëmjen e sotme kanë qenë të ftuar respektivisht në emisionet “Opinion” dhe “Open”.
Vëmendja te të dy liderët ka qenë e madhe, pasi vetëm 3 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit. Mbrëmjen e sotme, ndryshe nga ajo e dy ditëve më parë, kryedemokrati Basha ka arritur një shifër të lartë ndjekësish, pasi mbi 23 mijë qytetarë kanë dëgjuar intervistën e tij.
Por sërish Basha nuk ka arritur të mposhtë kryeministrin Rama, i cili mbrëmjen e sotme ka arritur të kapë edhe shifrën e 40 mijë ndjekësve.
Përballjen e audiencës në rrjetet sociale e fitoi Rama, por përballja më e rëndësishme mes të dyve është në 25 prill, aty ku qytetarët me votën e tyre do të vendosin për kryeministrin e Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme.

