Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka mbajtur këtë të enjte fjalën e fundit në Kuvend, pasi pritet të dorëzojë mandatin sepse kandidon për Bashkinë e Elbasanit. Ai është kandidati i opozitës, për zgjedhjet lokale të 14 Majit, përballë socialistit Gledian Llatja.
“Ky vend më ka pëlqyer për dinamikën dhe nervin që mbart brenda tij. Kam parë të ulen bashkë e vërteta dhe gënjeshtra, e bukura e politikës dhe e shëmtuara e saj. Unë nuk jam nga ata që dorëzohen, më pëlqejnë betejat dhe sfidat”, u shpreh Boçi.
Politikani dhe profesori elbasanas tha se ashtu sikurse i pëlqen Kuvendi, i pëlqen edhe të jetë pranë njerëzve, patriotëve të tij. “Nëse ka një pasqyrë ku dua të ngjajë mirë, është vetëdija e qytetarëve të Elbasanit”, u shpreh Boçi.
Veç tij, në seancën e sotme pritet që të mbajë fjalimin e fundit dhe deputeti tjetër i PD, Belind Këlliçi, i cili më herët gjatë kësaj të enjteje, ka njoftuar se do të lërë mandatin.
Pjesë nga fjala e Luçiano Boçit në Kuvend:
Ky vend më ka pëlqyer për dinamikën dhe nervin që mbart brenda tij. Kam parë të ulen bashkë e vërteta dhe gënjeshtra, e bukura e politikës dhe e shëmtuara e saj. Unë nuk jam nga ata që dorëzohen, më pëlqejnë betejat dhe sfidat. Sikurse më pëlqen të jem me njerëzit e vërtetë të këtij vendi, larg intervistave dhe protokolleve.
Ndryshe nga ju, mua më është dhënë një privilegj që dikush mund ta quajë dhe sakrificë, privilegj për të qenë kandidat në Bashkinë e Elbasanit. Një borxh për t’i kthyer atij lavdinë e dikurshme. Fati një qyteti mund të ngjajë i vogël, por është madhërisht i rëndë.
Nëse ka një pasqyrë ku dua të ngjajë mirë, është vetëdija e qytetarëve të Elbasanit. Sot unë nuk dua të flas për mizorinë me të cilën e keni trajtuar atë bashki në dekada, sesi gromsini nga të mirat që keni përfituar, keni gjunjëzuar ata që popullojnë një prej vendeve më të begata të tokës.
I keni bindur se janë të varfër dhe do vdesin të tillë, u keni helmuar tokën, i keni poshtëruar me një gjysmë thesi miell që të mbajnë gojën mbyllur. U bënë 16 vite që i mbani peng në Elbasan.
Unë po iki për t’u rikthyer atje ku çdo gjë e vogël bën një diferencë të madhe. Bashkë me ta ne do e bëjmë ndryshimin, do e kthejmë Elbasanin në një pol të rëndësishëm ekonomik. Do e bëjmë Elbasanin një vend ku mund të jetosh pa menduar si të ikësh. Do ta bëjmë një adresë të dashur për turistët, vendas dhe të huaj.
Do ta bëjmë Elbasanin, një shembull për t’u ndjekur dhe një model të ekselencës shqiptare në teknologji.