Luan Pobrati reagon kundër akuzave të Sali Berishës, duke i quajtur mashtrime deklaratat se vëllai i tij Samedin Pobrati ka lidhje me laboratorin e zbuluar të drogës në Xibrakë të Elbasanit.
‘’Arsyeja përse në mes pak rreshtave, i kushtoj vëmendje shpifjes së radhës të Sali Berishës në Facebook është se për mua mbetet me rëndësi thënia e popullit: “Hedh budallai një gur në lumë, e mblidhen njëqind të mençur dhe s’e nxjerrin dot!”. Ndaj në respekt të saj i sqaroj lexuesit , qofshin dhe ata të paktë që ende e besojnë Sali Berishën, se im vëlla, jeton prej kohësh pranë fëmijëve jashtë vendit, siç vërtetohet lehtë kur ai ka dalë së fundi nga Shqipëria. Nga dua të them se është mashtrim i qëllimshëm tymnaja djallëzore e Berishës, se im vëlla, Samedini pra, i cili ndryshe thirret Buçi, të ketë punuar roje në ‘laboratorin e kokainës’ në Xibrakë’’, deklaron Pobrati, sipas së cilit Berisha ka gabuar me dashje emrin dhe mbiemrin e vëllait të tij, duke ia shkruar ‘’Famedin Bobrati’’.
Sipas Pobratit, Berisha edhe më herët ka nxitur alibitë për arrestimet e paligjshme bërë ndaj tij si dhe dhunimin fizik.
‘’Çfarë tjetër tërheq vëmendje, është se përmes thirrjeve në Facebook, Sali Berisha po tenton të arrijë një tjetër djallëzi të tij. Alibinë se gjoja pjestar të organizatës së ashtuquajtur ‘Hakmarrja për Drejtësi’, kanë nisur të ushtrojnë terror psikologjik mbi nënpunësit shtetoror të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, lojë përmes së cilës, ai zbulon padashur frikën që e ka mbërthyer për vete; nga e siguroj të mos tutet, pavarësisht ligësive dhe poshtërsive të realizuara në vite ndaj familjes sime të madhe. Rri i qetë Sali Berisha! Ruaju perëndisë, nga ne askush nuk hakmerret.’’, thekson më tej Pobrati.
Tre ditë më parë Berisha akuzoi nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, vëllanë e Luan Pobratit, Samedinin, për lidhje me organizatën e kokainës. ‘’Të dhëna të reja për organizatën e kokainës së Partisë Siçiliste!! Të dashur miq, të dhëna të reja nga hetimet dëshmojne se banda shqiptaro - kolumbiane e kokainës është banda e "Partisë Siçiliste" apo "Hakmarrja për Drejtësi". Kështu, nga hetimet rezulton se: - Rojen dhe sigurimin e impiantit të kokainës e bënte daja i Leart dhe Orik Shytit, i vëllai i Luan Bobratit, pikërisht Famedini (të cilin e therrasin Buci), i cili nuk është arrestuar nga Policia.”, shkruante Berisha.