
Bazuar në programin e Lotarisë së Vizave dhjetëra mijëra imigrantë të mundshëm mbështeten në fatin e shortit për të fituar mundësinë për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara, pa sponsorizim nga një punëdhënës ose anëtar familjeje.
Ky program është ndërprerë përkohësisht nga administrata e Presidentit Trump për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por për disa që fituan lotarinë e vizave në fund të vitit të kaluar, përpjekjet për të realizuar ëndrrën amerikane kanë qenë të vështira.
Pas marrjes së një vize përmes lotarisë, që njihet edhe si lotaria e kartave jeshile, Erick Alamsjah erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Indonezia në fund të vitit 2019 me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
Ai punoi në sektorin e teknologjisë informative për 8 vjet në kryeqytetin indonezian të Xhakartës. Por edhe me një përvojë të gjatë pune, ai nuk ka arritur të gjejë një punë me orar të plotë.
Erick Alamsjah, fitues i lotarisë amerikane të vizave
“Nga të gjitha aplikimet që kam dorëzuar, qoftë ato në industrinë e shitjeve me pakicë apo punë të tjera në teknologjinë e informacionit, unë kam marrë përgjigje vetëm nga industritë që tani konsiderohen thelbësore, si farmacitë, dyqanet ushqimore dhe firmat e ndërtimit. Ndoshta duhet të pezullojë përkohësisht përpjekjet për të gjetur një punë në teknologjinë e informacionit”.
Ndërkohë, sa për t’ia dalur, zoti Alamsjah tani po punon si nëpunës në një dyqan të kompanisë “Home Depot” në shtetin e Merilendit. Ky dyqan i shitjes së mjeteve, pajisjeve dhe materialeve të ndërtimit konsiderohet biznes thelbësor në këtë kohë pandemie.
Vinia Agnessia nga Indonezia është gjithashtu fituese e lotarisë amerikane. Ajo ndërpreu studimet në vitin e saj të fundit për stomatologji në Padang, në ishullin e Sumatrës për të lëvizur në qytetin e Nju Jorkut, në fund të vitit 2019.
Pa diplomë universiteti dhe përvojë pune, Vinia e kishte të vështirë të gjente një punë me orar të plotë. Ajo punoi me orar jo të plotë si kamariere në një restorant japonez për disa muaj derisa u mbyll për shkak të pandemisë. Ajo e gjeti veten të papunë në Shtetet e Bashkuara, në epiqendrën e një pandemie, në një nga qytetet me koston më të lartë të jetesës në botë.
“Prindërit e mi janë të shqetësuar për mua, jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe financiarisht sepse jam e papunë. U thashë atyre: “mos u shqetësoni. Unë jam këtu në mënyrë të ligjshme dhe kam të drejtë të marr ndihmën e qeverisë”.
Ajo i referohet stimulit ekonomik prej 1,200 dollarësh dhe Programit të Ndihmës për të Papunët për shkak të Pandemisë. Nga programi i fundit, Vinia merr rreth 600 dollarë në javë, të cilat ajo i përdor për të paguar qiranë, faturat, ushqimin dhe transportin, ndërsa po kërkon punë.
Ndërkohë, familja e zoti Alamsjah mbetet optimiste për të jetuar një jetë të re në Amerikë mes pasigurisë së shkaktuar nga pandemia.
“Ne kemi ardhur këtu për fëmijët tanë, për arsimimin e fëmijëve tanë. Ne kemi marrë tashmë vendimin tonë, kështu që do vazhdojmë rrugën dhe shpresoj se gjërat do të përmirësohen”, thotë Sari Alamsjah, bashkëshorjtja e fituesit të lotarisë amerikane të vizave, Erick Alamsjah.
Familja Alamsjah dhe Vinia janë pjesë e një grupi prej rreth 55,000 njerëzish që vijnë në Shtetet e Bashkuara çdo vit përmes lotarisë së kartave jeshile, shumë prej të cilëve tani thjesht po përpiqen të mbijetojnë.