Londra vendos alarmin për autoritetet Brenda Britanisë, ashtu edhe për autoritetet shqiptare. Studimi i fundit i National Crime Agency, (agjencia e krimeve kombëtare) në Londër, ka dhënë alarmin për rritjen e madhe dhe të shpejtë të shqiptarëve të trafikuar që hyjnë në Angli.
Sipas të dhënave që tregohen në tabelë, shifra për vitin 2014 është me 68 përqind. Raporti është përpiluar në 19 janar të këtij viti, por që u bë publik vetëm të hënën. Mosha e specifikuar në raport janë nga 18 deri në 30 vjeç dhe nuk bëhet fjalë vetëm për femra, të cilat trafikohen për prostitucion, por bëhet fjalë edhe për meshkuj, që merren me tregtimin e drogës apo shpërndarjen e saj në qytete të ndryshme të Anglisë. Sipas raportit, femrat që kanë hyrë në Angli më së shumti gënjehen për martesa të rreme dhe më pas përfshihen në linjën e trafikut. Raporti e lidh shifrën e madhe prej 68 përqind me vulnerabilitetin e viktimave në vendin e origjinës, këtë radhë në Shqipëri, por edhe me predispozitën e rritur ndër ta për të ikur me çdo kusht nga Shqipëria.
Nuk bëhet fjalë në këtë rast për azilantë politik. Çeshtja e trafikimit, sipas autoriteteve në Londër, është një tjetër problem.
Deri tani ka pasur edhe raste të tjera të denoncuara nga shtete të ndryshme, por asnjëherë nuk janë dhënë shifra alarmante të tilla. Pak kohë më parë uniformat blu ndaluan një numër të madh shqiptarësh që kërkonin të udhëtonin drejt Gjermanisë, por bëhej fjalë për strehim të organizuar politik atje.