Ish kryeministri Sali Berisha ndodhet në Rrogozhinë për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Hekuran Xhani.
Berisha gjatë fjalës së tij ka sulmuar kreun e PD, Lulzim Basha duke thënë se nuk mund të ketë të ardhme me një humbës të 4-fishtë.
“A ka të ardhme me një humbës të katërfishtë. U thotë ju se Berisha po ndihmon Ramën dhe pse me bisht nën shalë ulet dhe voton Ramën, voton vettingut që e kishte quajtur dy vite më parë aktin më mafioz.
Denoncoi Basha “Toyota Yaris”. I thash ku e gjete ti këtë. Iku, jo u hap hetimi Edi Rama ja mbylli dosjen. Po ka një pjesë që se mbyll dot dhe kjo është dosja belge” tha Berisha ndër të tjera.
Fjala e Berishës:
Të bashkohemi në këtë fushatë, për ti dhënë shpresën e votës së lirë shqiptarëve. Këto zgjedhje në 6 bashki, vërtetë janë zgjedhje vendore, por rëndësia e tyre është kombëtare, e jashtëzakonshme. Qytetarët e 6 qyteteve firmosin kthesën e madhe, ndryshimin jetik për të ardhmen tonë.
Pavarësisht tokave pjellore, detit, ajrit, Rrogozhina braktiset, braktiset dhe vetëm braktiset. Kjo nuk vjen se qytetarët e Rrogozhinës nuk kanë mall për vendin e tyre, por sepse kanë përballë një regjim arrogant, që nuk do tia di për hallet dhe brengat e tyre, duke i detyruar që të largohen.
Sot banorët e Rrogozhinës dhe mbarë Shqipërisë, shqiptarët detyrohen që të largohen si emigrantë dhe në Maqedoni dhe Malin e Zi. Rritja e ushqimeve është e pandalshme, ndërsa rroga në raport me çmimet zvogëlohen çdo muaj dhe më shumë, fermerët e Rrogozhinës dhe të gjithë Shqipërisë, janë sot më të braktisurit nga shteti. Edi Rama firmos Ballkanin e Hapur, që është absolutisht falimentim për fermerët shqiptarë. Aty iu del kostoja shumë e ulët pasi shteti subvencionon, me këtë marrëveshje Edi Rama i detyron që fermerët shqiptarë të shkojnë dhe të punojnë në tokat e shumadisë.