Hapësire reklamuese

Aktualitet

Llalla shkon në Korçë dhe u tërheq vëmendjen prokurorëve: Numër i lartë pezullimesh dhe mos nisje të çështjeve

Shkruar nga Newsbomb

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka shkuar sot në Korçë, ku u ka tërhequr vëmendjen prokurorëve për një numër të lartë pezullimesh dhe mosnisje të çështjeve hetimore. Në analizën e tij Llalla ua ka bërë të qartë: ‘’Keni për detyrë që të shtonin numrin e hetimeve kryesisht, sidomos për korrupsionin dhe kontrabandën’’, u ka thënë ai. Llalla ka nisur një tur vizitash në Prokuroritë e Vlorës, Fierit, Shkodrës.

“Të nderuar kolegë,

Analizën e Prokurorive që mbulon Apeli i Korçës po e zhvillojmë pas një serie takimesh të tjera, përfshirë edhe analizën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe një vizite shumë të rëndësishme në Kroaci.

I përmblodha që në hyrje këto aktivitete, për të përcjellë para Jush nevojën për bashkëpunimin me institucionet e tjerë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Në këto takime theksi është vënë në gjetjen e mundësive të reja për shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve. Prokuroria ka një rol të rëndësishëm në koordinimin e raporteve ndërmjet agjencive të tjera ligjzbatuese. Duke filtuar dhe përpunuar të dhënat që zotërojnë institucionet, prokuroria do të ketë më shumë mundësi të shtojë forcën goditëse kundër kriminalitetit.

Dua të shpreh vlerësimet pozitive për punën e Njësisë Antikorrupsion në Prokurorinë e Korçës. Në bazë të statistikave të përpunuara në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton që kjo njësi ka ndër rezultatet më të mira të çështjeve të dërguara në gjykim, krahasuar me numrin e rasteve të trajtuara.

Gjithësesi, shpreh bindjen që Njësia këtu ka më shumë mundësi për të rritur efikasitetin dhe rastet e korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës.

E kam përmendur edhe në analizat e tjera dhe këtu po e them me forcë: prokurorët duhet të shtojnë numrin e hetimeve proaktive dhe hetimeve kryesisht. Vetëm në këtë mënyrë do të bindim edhe institucionet e tjera të forcojnë aktivitetin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Në Prokurorinë e Korçës dhe të Pogradecit konstatohet një numër i lartë mosfillimesh dhe pezullimesh. Këto raste kanë shtuar ndjeshëm ngarkesën e punës në Prokurori. Për të menaxhuar si duhet ngarkesën e punës, si edhe për të mos trajtuar rastet që dukshëm nuk përmbajnë elementë të veprës penale, ju nxis që të zhvilloni analiza periodike me institucionet e tjera ligjzbatuese. Vetëm në këtë mënyrë, duke diskutuar paraprakisht çdo aspekt të rasteve, prokuroria do të ketë më shumë mundësi të ulë ngarkesën e tepërt dhe të rrisë efektivitetin.

Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kërkojë me forcë nga prokurorët këtu, por edhe në të gjithë Shqipërinë, për të shtuar ritmin e punës hetimore. Ne jemi në dijeni të problematikës me Policinë Shkencore dhe kemi diskutuar me strukturat përkatëse për të përmirësuar punën e atij sektori. Po ashtu, besoj se kemi plotësuar nevojat me burime njerëzore në Prokurorinë e Korçës dhe të Pogradecit. Pra, ne jemi në dijeni të nevojave tuaja dhe kemi marrë masat për plotësimin e tyre. Në vijim do të kërkohen rezultate më të larta nga ana Juaj.

E ritheksoj atë që përmenda në fillim. Keni për detyrë që të shtonin numrin e hetimeve kryesisht, sidomos për korrupsionin dhe kontrabandën. Është porosia thelbësore që po Ju përcjell dhe do të kërkoj në mënyrë periodike informacion mbi përmbushjen e saj’’, tha Llalla.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu