Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo është liruar nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës.
Bendo erdhi në krye të SHISH rreth katër vite më parë, duke zëvendësuar Visho Ajazin, por viti i fundit duket se ka qenë dhe më i vështiri për kreun e inteligjencës shqiptare, pas dy sulmeve kibernetike që ekspozuan të dhënat punonjësve dhe sfidave për shkak të luftës në Ukrainë.
Bendo u largua për disa muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u tha se ishte pjesë e një trajnimi, në mesin e këtij viti. Gjatë kësaj periudhe SHISH është drejtuar nga Oljan Kanushi, i cili ka mbajtur postin e nëndrejtorit.
“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, thuhet në dekret.
Lidhur me largimin e Bendos, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se ish-kreu i SHISH do të trajnohet në SHBA dhe më pas do të jetë këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.