Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Linçimi i gazetares, shefja e AMA-s: Dënoj reagimin në portal, po s'kam gjë në dorë

Shkruar nga Newsbomb
Linçimi i gazetares, shefja e AMA-s: Dënoj reagimin në portal,

Shefja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj gazetares Afrovita Hysaj, e cila u linçua nga një portal për shkak të punës së saj, lidhur me deklaratat për përdhunimin e 26-vjeçares në Vlorë.

Krasniqi me anë të një postimi në rrjetet sociale, dënon ashpër komunikimin dhe gjuhën seksiste ndaj gazetares. Pavarësisht kësaj, Krasniqi thotë se ky rast nxori edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla.

Ajo madje inkurajon shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit, për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues.

"Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues", shkruan ndër të tjera shefja e AMA-s.

Reagimi i plotë i Armela Krasniqi:

Konsideroj të papranueshme gjuhën e përdorur nga portali  6plus1vlora.al, ndaj gazetares Afrovita Hysaj.

Dënoj me forcë çdo lloj komunikimi si ky, në të cilin një grua, një gazetare profesioniste, sulmohet duke përdorur fjalor denigrues, gjuhë seksiste, diskriminuese dhe banale.

Për pikënisjen që solli këtë devijim komunikimi, sigurisht që do të vendosin organet kompetente. Çfarë unë mund të them me bindje është, se ky është një rast flagrant i lincimit të një gazetareje, i dënueshëm, që shkel mbi dinjitetin e njeriut, lirinë e fjalës dhe çdo kod etike profesionale.

Ky rast - për fat të keq, jo i vetmi - nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla. Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues.

Uroj dhe shpreh besimin, që raste të tilla të mos përsëriten dhe çdo profesionist i medias të reflektojë mbi fenomene të tilla.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese